Shoqata Kombëtare e Transportit Urban i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që transporti publik të tatohet me një normë të reduktuar të TVSH-së prej 6% në vitin 2027. Në letrën e saj, shoqata e cilëson këtë transport një shërbim bazë për qytetarët dhe familjet shqiptare.
Kërkesa është paraqitur gjatë diskutimeve për Paketën Fiskale dhe Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2027. Shoqata kundërshton propozimin për ta rritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 21% dhe kërkon që transporti publik të përfshihet në lehtësitë fiskale.
Të lidhura
None found
Sipas përfaqësuesve të sektorit, ky shërbim nuk mund të trajtohet si veprimtari e zakonshme tregtare. Mijëra qytetarë mbështeten çdo ditë te transporti publik për të shkuar në punë e në shkollë, si edhe për të kryer nevojat e përditshme.
Shoqata kërkon që për transportin publik të zbatohet e njëjta logjikë lehtësimi fiskal që kryeministri Edi Rama ka propozuar për produktet bazë, përmes vendosjes së TVSH-së në nivelin 6%, raporton gazetarja Kristina Belba.
Në kërkesë argumentohet se kjo ulje do t’u lehtësonte kostot operatorëve të transportit dhe, njëkohësisht, do t’i mbronte qytetarët nga një rritje e mundshme e çmimeve të shërbimit.
Për këtë arsye, Shoqata Kombëtare e Transportit Urban kërkon që Paketa Fiskale 2027 të përmbajë edhe masa konkrete lehtësuese, jo vetëm rritje të barrës tatimore, për një sektor që e konsideron jetik për lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin e përditshëm të jetës ekonomike.







