Shoqata Kombëtare e Transportit Urban kundërshton rritjen e propozuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 21% dhe kërkon që sektori i transportit publik të përfshihet në skemën e lehtësive fiskale për vitin 2027.
Përmes një letre drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, shoqata kërkon që shërbimi i transportit publik të përfitojë një normë të reduktuar të TVSH-së prej 6%, duke e konsideruar atë një shërbim bazë për qytetarët dhe familjet shqiptare.
Kërkesa vjen në kuadër të diskutimeve për Paketën Fiskale dhe Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2027. Përfaqësuesit e sektorit argumentojnë se transporti publik nuk duhet të trajtohet si një shërbim i zakonshëm tregtar, pasi është një nevojë e përditshme për mijëra qytetarë, të cilët e përdorin për të shkuar në punë, shkollë dhe për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme.
Shoqata kërkon që transporti publik të përfitojë të njëjtën logjikë lehtësuese fiskale të propozuar nga kryeministri Edi Rama për produktet bazë, duke vendosur një normë TVSH-je prej 6%, raporton gazetarja Kristina Belba.
Sipas kërkesës së tyre, një masë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e kostove për operatorët e transportit, por edhe në mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e mundshme e çmimeve të shërbimit.
Në këtë mënyrë, Shoqata Kombëtare e Transportit Urban kërkon që në Paketën Fiskale 2027 të mos përfshihet vetëm rritja e barrës tatimore, por edhe masa konkrete lehtësuese për një sektor që konsiderohet jetik për lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin e përditshëm të jetës ekonomike.
