Rreth 2 500 pacientë parashikohet të përfitojnë nga ekzaminimi me PET-scan në sektorin publik. Për këtë shërbim, që financohet për herë të parë në publik, projektbuxheti i shëndetësisë për vitin 2027 parashikon 250 milionë lekë. Gjatë prezantimit në komision, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, tha se projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
“Për herë të parë parashikohet financimi i PET-scan në sektorin publik, me një fond prej 250 milionë lekësh, për rreth 2 500 pacientë. Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kemi të parashikuar për 2027-ën edhe pajisjet e brakiterapisë. Është gati për prokurim”, tha Spahiu.
Për Institutin Onkologjik parashikohen 2 miliardë lekë. Sipas ministres, në këtë institut do të marrin shërbim 5 mijë pacientë.
Në QSUT, lista e investimeve për vitin 2027 përfshin Pediatrinë e re, Psikiatrinë e re dhe shërbimin e Djegie-Plastikës. Për Psikiatrinë janë parashikuar pajisje dhe mobilje, ndërsa për Djegie-Plastikën parashikohen edhe mobilje.
Projektbuxheti përfshin gjithashtu ndërhyrje në godinën e administratës dhe në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve të QSUT-së, si dhe një sallë hibride ku ndërthuren kirurgjia dhe imazheria.
Në total, projektbuxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2027 është 89,7 miliardë lekë, nga 86,5 miliardë lekë në vitin 2026.
Lajmi në përditësim....










Komente
Komento