Interi ka nisur lëvizjet për të blinduar disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Në planet e drejtuesve zikaltër janë rinovimet me Hakan Calhanoglu, Carlos Augusto dhe Marcus Thuram, të cilët pritet të vazhdojnë aventurën në Milano.

Me mesfushorin turk negociatat janë në rrugën e duhur, sikundër bëhet me dije edhe nga e përditshmja sportive “La Gazzetta dello Sport”, që ditën e sotme u hap pikërisht me këtë lajm kryesor. Palët kanë gjetur dakordësinë për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2029, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar vetëm aspekti financiar. Drejtuesit e Interit synojnë ta mbyllin marrëveshjen deri në fund të këtij viti.

Shumë pranë firmës është edhe Carlos Augusto, i cili pritet të rinovojë deri në vitin 2031. Ndërkohë, për Marcus Thuram kanë nisur kontaktet e para, me klubin që synon të zgjasë bashkëpunimin përtej vitit 2028 dhe ta mbajë sulmuesin francez për një kohë sa më të gjatë.

Pas rinovimit të Federico Dimarco-s deri në vitin 2028, Interi po punon për të siguruar vazhdimësinë e grupit aktual. Një strategji që konfirmon dëshirën e klubit zikaltër për të ruajtur bazën e skuadrës dhe për të ndërtuar një projekt konkurrues edhe në vitet e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: