Një gjykatës amerikan ka rrëzuar kërkesën për pushimin e akuzave për vrasje ndaj Lindsay Clancy, e cila vrau tre fëmijët e saj, duke i hapur rrugën zhvillimit të një procesi të dytë gjyqësor.
Avokatët e Clancy-t kishin kërkuar pushimin e çështjes, por gjyqtari William Sullivan, në shtetin e Massachusetts, nuk e pranoi kërkesën. Ai ka caktuar datën 16 nëntor për një seancë ku do të diskutohet koha e zhvillimit të rigjykimit, i cili sipas tij mund të mbahet në muajin mars.
Gjyqtari argumentoi se zhvillimi i një procesi të dytë nuk përbën shkelje kushtetuese dhe nuk e ekspozon të pandehurën ndaj gjykimit të dyfishtë për të njëjtën vepër penale.
Prokurorët kanë deklaruar se synojnë ta rigjykojnë 36-vjeçaren, por ende nuk kanë vendosur nëse do të kërkojnë të njëjtat akuza apo akuza më të lehta. Martin Weinberg, avokati i Clancy-t, tha se pret që mbrojtja të kërkojë apelimin e vendimit.
Lindsay Clancy, ish-infermiere në repartin e lindjeve, vrau tre fëmijët e saj të mitur në banesën familjare në Massachusetts në vitin 2023. Mbrojtja ka argumentuar se ajo nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për veprimet e saj, pasi vuante nga një sëmundje mendore, konkretisht nga një gjendje e rrallë e njohur si psikozë pas lindjes.
Procesi i parë gjyqësor përfundoi pa një vendim, pasi gjykatësi shpalli pavlefshmërinë e gjykimit. Juria ishte ndarë me rezultatin 11 me 1 në favor të shpalljes së saj të pafajshme për akuzat e vrasjes.
Gjatë gjyqit të parë, nuk u kundërshtua fakti se më 24 janar 2023, në bodrumin e banesës së tyre në Duxbury, një periferi e Bostonit, Clancy kishte mbytur me llastiqe ushtrimesh vajzën Cora, 5 vjeçe, djalin Dawson, 3 vjeç dhe foshnjën Callan, vetëm 8 muajsh.
Pas ngjarjes, ajo kishte prerë veten me thikë dhe ishte hedhur nga dritarja e katit të dytë në përpjekje për t’i dhënë fund jetës. Si pasojë, kishte mbetur e paralizuar.
Avokatët e saj kanë këmbëngulur se Clancy vuante nga psikoza pas lindjes dhe se duhet të shpallet e pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore. Në shtetin e Massachusetts, kjo mbrojtje njihet ligjërisht si mungesë e përgjegjësisë penale.

