Shisnin kanale televizive pirate, Gjykata dënon me burg tre persona
Si funksiononte skema përmes rrjeteve sociale
Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 9 muaj burgim tre persona, të cilët akuzoheshin për mashtrim kompjuterik përmes tregtimit të paligjshëm të paketave televizive. Të pandehurit kishin ngritur një aktivitet për shitjen e pajisjeve dekoder dhe abonimeve IPTV, përmes të cilave u ofronin klientëve akses në qindra kanale televizive, pa pasur licencat apo autorizimet përkatëse nga kompanitë që zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Të dënuarit janë Franci Çela, Ardit Stambolliu dhe Erlin Xhucani. Ata përdornin rrjetet sociale për të reklamuar shërbimet, për të gjetur klientë dhe për të realizuar shitjet, duke përfituar financiarisht nga shpërndarja e përmbajtjeve televizive të operatorëve të licencuar.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, procedimi penal ndaj tyre nisi pas një kallëzimi të depozituar nga kompania Digitalb në vitin 2023. Shoqëria denoncoi subjekte që, përmes rrjeteve sociale, ofronin paketa televizive duke pretenduar se kishin të drejtën për t’i tregtuar, ndërkohë që nuk dispononin autorizimet ligjore. Kjo veprimtari krijonte të ardhura në mënyrë të paligjshme, në dëm të kompanive që zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Gjatë hetimeve, organi i akuzës kreu edhe blerje të simuluara të pajisjeve dekoder, përmes të cilave arriti të identifikonte personat dhe subjektet që ushtronin këtë aktivitet.
Një prej tyre ishte FRA SYSTEM IPTV, në pronësi të Franci Çelës, ku paketat televizive tregtoheshin për 79 euro. Një tjetër aktivitet ishte Elektronika Shop, në pronësi të Erlin Xhucanit, i cili reklamonte ofertat në Facebook dhe shiste pajisjet kundrejt pagesës prej 4 mijë lekësh. Dërgesat realizoheshin përmes shërbimeve postare private, duke bërë të mundur që produktet të mbërrinin te klientët në zona të ndryshme.
Në skemë ishte përfshirë edhe Ardit Stambolliu, i cili administronte platformën 4K Server, të njohur si Kanale.al. Shitjet kryheshin përmes Instagramit, ndërsa për transmetimin e përmbajtjeve televizive përdorej aplikacioni IboPlayer.
Nga hetimet rezultoi se pajisjet elektronike që u shpërndaheshin klientëve kishin të instaluara aplikacione të posaçme, të cilat mundësonin aksesin në kanalet e platformave private, përfshirë Digitalb, Tring, si dhe në paketa të tjera televizive ndërkombëtare. E gjithë kjo realizohej pa licencë dhe pa lejen e operatorëve që zotërojnë të drejtat ekskluzive mbi këto transmetime.
Prokuroria argumentoi se veprimtaria nuk përbënte thjesht tregtim të paautorizuar të shërbimeve televizive, por përfshinte edhe ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike dhe rrjetet e transmetimit të të dhënave. Përmes anashkalimit të mekanizmave të sigurisë dhe kontrollit të aksesit, përmbajtjet e destinuara vetëm për abonentët e autorizuar bëheshin të disponueshme për persona të tretë.
Sipas organit të akuzës, të dhënat televizive të koduara përbëjnë pjesë të sistemeve kompjuterike të mbrojtura. Sigurimi dhe shpërndarja e tyre te përdorues të paautorizuar, duke anashkaluar kufizimet e vendosura nga operatorët ligjorë, përbën veprimtari që përfshihet në veprën penale të mashtrimit kompjuterik.
Hetimet provuan gjithashtu se qëllimi i kësaj skeme ishte përfitimi ekonomik personal, duke shmangur detyrimet që rrjedhin nga licencimi, kontraktimi dhe pagesat ndaj kompanive që ofrojnë ligjërisht shërbimet televizive. Prokuroria vlerësoi se veprimet ishin kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me synimin për të siguruar të ardhura përmes një aktiviteti të paligjshëm.
Operacioni policor kundër kësaj veprimtarie u zhvillua në dhjetor të vitit 2024. Në atë kohë u arrestuan pesë persona: Franci Çela, Ardit Stambolliu, Erlin Xhucani, Arzen Velika dhe Adil Lila. Ndërkohë, tre persona të tjerë u shpallën në kërkim.
Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, i shpalli fajtorë Franci Çelën, Ardit Stambolli dhe Erlin Xhucanin për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, të parashikuar nga neni 143/b, paragrafi 1, i Kodit Penal. Secili prej tyre u dënua me nga 9 muaj burgim.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë
Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë dënohen me burg tre shtetas të cilët shisnin dekodera me qindra kanale pirate
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u shpallën fajtor shtetasit F.Ç., A.S., dhe E.Xh., të akuzuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b pg. 1 i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.6847, të vitit 2023, nisën pas kallëzimit të shoqërisë Digitalb, se subjekte të ndryshme duke vepruar në rrjetet sociale shesin paketa televizive të kësaj shoqërie duke mashtruar se disponojnë të drejtat televizive dhe duke krijuar të ardhura në kurriz të kompanive televizive.
Nga hetimet, të kryera dhe me veprime simuluese të blerjeve të pajisjeve dekoder, prokuroria identifikoi subjektet që kryenin këtë aktivitet. Më konkretisht, subjekti ‘FRA SYSTEM IPTV’ në pronësi të shtetasisht F.Ç., i cili shiste me vlerën 79 euro paketën. Po kështu nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u identifikua edhe Subjekti Elektronika Shop në pronësi të shtetasit E. Xh., i cili vepronte nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook duke shitur paketa në vlerën 4000 lekë dhe pajisja vinte nëpërmjet korrierëve të postave private. Në këto hetime u zbulua edhe subjekti 4k server (Kanale.al), në pronësi të shtetasit A.S, i cili shiste nëpërmjet rrjetit social “Instagram”.
Të pandehurit kishin instaluar në aparaturat elektronike që shpërndanin te të tretët aplikacione të cilat mundësonin hapjen dhe shikimin e kanaleve televizive private të platformave si Digitalb, Tring dhe të tjera pako ndërkombëtare, pa pasur licensë apo leje nga operatorët e ligjshëm që zotërojnë të drejtat mbi këto transmetime
Kjo sjellje përbën ndërhyrje në funksionimin e sistemeve kompjuterike dhe rrjeteve të transmetimit të dhënave, pasi të dhënat që lejohen vetëm për përdorues të licensuar janë siguruar dhe shpërndarë në mënyrë të paligjshme, duke i paraqitur si të dhëna të aksesueshme nga përdorues të paautorizuar, përmes mashtrimit kompjuterik. Të dhënat televizive të koduara janë pjesë e një sistemi kompjuterik të mbrojtur, dhe ndërhyrja për të anashkaluar sistemet e kontrollit të aksesit përbën veprimtari të kundërligjshme që bie brenda kuptimit të nenit 143/b.
Nga hetimet u provua se veprimtaria e të pandehurve përfshin ndërhyrje në sistemet kompjuterike të operatorëve të licensuar dhe përvetësimin e të dhënave që atyre u përkasin, duke i shpërndarë ato te përdoruesit e tretë në mënyrë mashtruese dhe të paligjshme. Kjo veprimtari është ndërmarrë me qëllim sigurimi të përfitimit ekonomik personal, duke shmangur licencimin, kontraktimin dhe pagesën e detyrimeve financiare ndaj subjekteve që ofrojnë shërbimin në mënyrë të ligjshme. Veprimet janë kryer me dashje direkte dhe me qëllim përfitimi material.
Në përfundim, nga të gjitha provat e mbledhura, rezulton se të pandehurit kanë konsumuar në mënyrë të plotë elementët e veprës penale “Mashtrim kompjuterik” parashikuar nga neni 143/b pg. 1 dhe u shpallën fajtorë për këtë vepër duke u dënuar me nga nëntë muaj burgim secili.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



