15 vite nga vrasja e Diana Kastratit, shtyhet seanca ndaj Adnon Jasharit, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij

15-vite nga vrasjaa e Diana Kastratit, sot ishte parashikuar të mbahej në mungesë seanca e shqyrtimit kryesor ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij. Seanca ishte caktuar në orën 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por është shtyrë për datën 23 dhjetor, në orën 09:00, pas kërkesës së avokatit mbrojtës Haxhi Millaku për kohë që të njihej me dosjen dhe shkresat e lëndës.
Avokati Millaku deklaroi se, megjithëse autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, nuk i ishte mundësuar qasja në dokumentacionin e çështjes dhe se aktakuzën e kishte marrë vetëm në gjykatë. Prokurorja Fatmire Cacaj kundërshtoi pretendimin, duke bërë të ditur se shkresat i ishin dorëzuar më herët avokates Ardita Berisha.
Në përfundim, gjyqtarja Sulltane Hoti aprovoi kërkesën e mbrojtjes dhe obligoi prokurorinë të dorëzojë dokumentacionin. Gjatë seancës u lexua edhe deklarata e njerkës së të akuzuarit, Zyrafete Jashari, e cila tha se nuk ka informacione për vendndodhjen e tij, pasi nuk mban komunikim me të.
Ndërkohë, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në lokalizimin e Adnon Jasharit, i cili është në kërkim nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Kërkesa është bërë në bazë të urdhëresës së Gjykatës për seancën e 10 nëntorit 2026. Policia ka kërkuar që çdo person që ka informacion për vendndodhjen e tij të njoftojë autoritetet përmes adresës elektronike [email protected] ose në stacionin më të afërt policor.
Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet. Ajo u qëllua me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj. Rasti vijon të jetë në proces gjyqësor, ndërsa seanca e radhës ndaj të akuzuarit është caktuar për 23 dhjetor, në orën 09:00.
/vizionplus.tv




