Bota

Përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë, nisin bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi!

Zyrtarët amerikanë synojnë një marrëveshje përfundimtare mes Moskës e Kievit, ndërsa në tryezën e negociatave pritet të diskutohet edhe një arkitekturë e re afatgjatë e sigurisë mes Rusisë dhe Evropës.

Zyrtarët amerikanë deklaruan se synojnë t’i japin përfundimisht fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës dhe sot kanë nisur bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi. Takimet shënojnë negociatat e para të rëndësishme mes palëve që nga muaji shkurt.

Në qendër të diskutimeve është edhe propozimi i administratës Trump për krijimin e një arkitekture të re afatgjatë të sigurisë mes Rusisë e Evropës, me synimin për të shmangur të tjera përshkallëzime ushtarake në të ardhmen.

Sipas zyrtarëve amerikanë, një marrëveshje e mundshme mund të përfshijë garanci sigurie për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, që parashikon mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare në rast sulmi.

Por, Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO, si dhe vendosjen e trupave perëndimore në territorin ukrainas.

Negociatat pritet të përfshijnë edhe përfaqësues nga Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia e Bashkimi Europian, që do të diskutojnë me delegacionin amerikan të ardhmen e sigurisë evropiane.

Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë kanë shprehur shqetësim se Uashingtoni mund të bëjë lëshime të konsiderueshme ndaj Moskës, veçanërisht lidhur me praninë ushtarake të NATO-s në Europën Lindore.

Diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, theksoi se tashmë Europa ka një arkitekturë sigurie të bazuar në marrëveshje ndërkombëtare, por problemi qëndron te mosrespektimi i tyre nga Rusia.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se një marrëveshje përfundimtare mund të kërkojë edhe lëshime territoriale nga Ukraina. Kjo ka shtuar shqetësimet se negociatat mund të përfundojnë me kushte të favorshme për Moskën.

Në procesin negociator është përfshirë edhe Jared Kushner, dhëndri i Trump-it e një prej negociatorëve kryesorë amerikanë. Ai ka përmendur nevojën për komunikim më të mirë mes palëve, transparencë më të madhe ushtarake dhe mekanizma për uljen e rrezikut të përshkallëzimit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është bërë njëfarë përparimi lidhur me mënyrën si duhet të ndërtohet arkitektura e re e sigurisë, por theksoi se fillimisht duhet kapërcyer konflikti aktual.