Një 42-vjeçar me precedentë kriminalë është arrestuar në zonën e liqenit të Çekrezës, në Kamëz, pasi lëvizte i armatosur dhe posedonte edhe lëndë narkotike.
Arrestimi u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”, pas informacioneve se një person i armatosur qarkullonte në këtë zonë.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti shtetasit Zyber Bami një pistoletë me mulli, municionin përkatës dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Sipas policisë, 42-vjeçari ishte dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Arma e zjarrit, municioni dhe lënda e dyshuar narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
