Bota

Nga luksi dhe milionat te prangat e ICE/ Arrestohet “Mbreti iranian i Instagramit”!

Farzad “Tony” Toutouni, 55-vjeçari me origjinë iraniane i njohur në rrjetet sociale si “Mbreti iranian i Instagramit”, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit (ICE) në Los Anxhelos, më 27 tetor. Lajmi u bë publik më 9 nëntor, përmes një njoftimi zyrtar të agjencisë amerikane.

Sipas ICE, Toutouni ka një histori të gjatë problemesh me drejtësinë, me precedentë që, sipas autoriteteve, datojnë që nga viti 1989. Në të kaluarën, ai është arrestuar për kërcënime kriminale, komplot për kryerjen e veprave penale, si dhe për posedim dhe shitje të substancave të kontrolluara.

Autoritetet bëjnë me dije se ai është dënuar me më shumë se 16 muaj burg për një sërë veprash, përfshirë përdorimin ose kalimin e një çeku të falsifikuar, vjedhjen e të dhënave të kartave të aksesit, falsifikimin, komplotin kriminal, rrëmbimin, grabitjen dhe zhvatjen.

Sipas deklaratës së ICE, Toutouni hyri për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1983, në mënyrë të ligjshme. Në vitin 1993, një gjykatës emigracioni urdhëroi largimin e tij nga vendi, por vendimi nuk u zbatua në atë kohë.

Në vitin 1999, një tjetër vendim për dëbimin e tij u pasua nga deportimi në Meksikë. Megjithatë, sipas autoriteteve amerikane, Toutouni ka deklaruar se është rikthyer ilegalisht në SHBA më 4 prill 2011 ose rreth kësaj date, duke kaluar lumin pranë Saint Clair, në Michigan, me një trap elektrik të blerë në Kanada.

ICE bën të ditur se 55-vjeçari do të qëndrojë në paraburgimin e agjencisë, ndërsa vijojnë procedurat për largimin e tij nga Shtetet e Bashkuara.

Toutouni u bë i njohur në rrjetet sociale për ekspozimin e një stili jetese luksoz dhe ekstravagant. Me më shumë se një milion ndjekës në Instagram, ai publikonte vazhdimisht fotografi me makina të shtrenjta, avionë privatë, shuma të mëdha parash dhe gra të veshura në mënyrë provokuese.

Në një tjetër fotografi, ai kishte zgjedhur mbishkrimin: “Pa grua, një jetë e mrekullueshme”, duke pozuar në një ambient luksoz me një grua të zhveshur mbi shpatull. Përmes këtyre publikimeve, Toutouni ndërtoi imazhin e një personazhi të lidhur me luksin, festat dhe jetën pa kufij. Në biografinë e tij të publikuar, ai e kishte përshkruar veten si biznesmen të pavarur dhe përdorte edhe epitetin provokues “Filantrop i Legjendës”. Arrestimi i tij ka rikthyer vëmendjen te personazhi që për vite me radhë ekspozoi në rrjetet sociale një jetë mes luksit dhe festave, ndërsa autoritetet amerikane po vijojnë procedurat për dëbimin e tij.