
Çmimet e naftës vijuan rënien të martën në mëngjes, ndërsa investitorët po mbështeten te shpresat për përparim në bisedimet diplomatike që synojnë t’i japin fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit, përcjell Euronews.
Nafta Brent ra me 1,31%, duke u tregtuar me 91,36 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane West Texas Intermediate (WTI) zbriti me 1,59%, në 85,47 dollarë për fuçi.
Të dy kontratat kryesore kanë humbur rreth 20% të vlerës gjatë këtij muaji, pasi tregtarët presin një zgjidhje të konfliktit shtatëmujor, i cili ka nxitur rritjen e inflacionit dhe ka detyruar bankat qendrore të rrisin normat e interesit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se ka “një momentum pozitiv” drejt përfundimit të luftës, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Katarit.
“Pata një bisedë të shkëlqyer me Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke shtuar se gjatë bisedës u diskutua gjerësisht për Republikën Islamike të Iranit.
Përpara zgjedhjeve të mesmandatit të javës së kaluar, ishin shtuar pritshmëritë se Trump mund të urdhëronte rifillimin e sulmeve ndaj Iranit gjatë këtij muaji. Megjithatë, presidenti amerikan ka zbutur deklaratat për një ndërhyrje të re ushtarake, pa e përjashtuar plotësisht këtë mundësi.
Në reagimin e tij të së hënës, Trump përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë “gati për veprim”, por shtoi se sulmet e mëtejshme janë “shumë pak të mundshme”, pasi aleatët kryesorë amerikanë në Gjirin Persik preferojnë ruajtjen e status quo-së.
Deklaratat e tij përputhen me ato të bëra gjatë fundjavës për CNN, kur Trump tha se rifillimi i luftimeve është “shumë pak i mundshëm”.