Mauricio Pochettino është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, në rast se klubi vendos ta shkarkojë Michael Carrickun nga posti i trajnerit.

Të hënën mbrëma u raportua gjerësisht se drejtuesit e Unitedit pritet të ndërpresin bashkëpunimin me Carrickun para ndeshjes së Ligës Premier kundër Liverpoolit, më 22 nëntor. Kjo vjen në një moment shumë të vështirë për klubin, i cili ndodhet në zonën e rënies nga liga, me vetëm tetë pikë pas 10 ndeshjeve.


Sipas gazetarit Ben Jacobs, Sir Jim Ratcliffe do të drejtojë një takim në Monako të martën, më 10 nëntor, ku drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori i futbollit Jason Wilcox pritet të rekomandojnë zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me Carrickun.

Jacobs raporton se ish-trajneri i Tottenhamit dhe Chelseat, Mauricio Pochettino, është njëri prej kandidatëve kryesorë për ta marrë drejtimin e skuadrës. Ai ka përmendur gjithashtu ekzistencën e një klauzole largimi në kontratën aktuale të argjentinasit me Kombëtaren e SHBA-së.

Por sa do t’i kushtonte Unitedit transferimi i tij? Sipas një raportimi të The Athletic, klauzola e lirimit në kontratën e Pochettinos vlerësohet rreth 8.6 milionë euro.

Nëse Manchester United dëshiron të marrë me vete edhe stafin e tij ndihmës, atëherë do të duhet të paguajë edhe disa miliona dollarë të tjerë.

Julian Nagelsmann dhe Eddie Howe përmenden gjithashtu si kandidatë për ta zëvendësuar Carrickun. Sipas Jacobs, në rast se United vendos për trajnerin e Newcastle Unitedit, do të duhet t’i paguajë klubit anglez rreth 3.4 milionë euro.

Pochettino, i cili ka përvojë të madhe në Ligën Premier, do të ishte i interesuar ta merrte drejtimin e Manchester Unitedit nëse do t’i ofrohej kjo mundësi, raporton talkSPORT.

Argjentinasi më parë e drejtoi Chelsean drejt vendit të gjashtë në Ligën Premier, si dhe në finalen e Kupës së Ligës dhe gjysmëfinalen e FA Cup. Megjithatë, ai u largua me marrëveshje të dyanshme pas vetëm një sezoni.

Para aventurës te Chelsea, Pochettino arriti të përfundonte katër sezone radhazi në katër vendet e para me Tottenhamin. Ai gjithashtu e udhëhoqi skuadrën londineze deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019, ku humbi pikërisht nga Liverpooli./Telegrafi/