Është ndërprerë seanca e sotme ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, në vitin 2011.
Siç raporton gazetarja e TV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, ndërprerja erdhi pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku, i cili kundërshtoi zhvillimin e seancës, duke thënë se kjo nuk është drejtësi, pasi që aktakuza kishte vite që ndodhej në Gjykatë, ndërsa seanca po caktohet vetëm pas ngjarjeve të fundit në Kosovë.
Millaku deklaroi se, ndonëse që nga viti 2011 kishte autorizim për ta mbrojtur Jasharin, deri më sot nuk e kishte pranuar aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij.
Ai kërkoi që seanca e sotme të ndërpritej.
Gjatë seancës, avokati reagoi edhe ndaj prokurorit, i cili tha se shkresat e lëndës i ishin dorëzuar mbrojtjes sipas detyrës zyrtare.
Në seancë mungon i akuzuari Jashari, i cili ndodhet në arrati, andaj Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë.
Pas 15 vjetësh nga vrasja e Diana Kastratit, sot mbahet seanca në mungesë ndaj Adnon Jasharit