Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku në njërin prej tyre viktima ka kërkuar edhe urdhër mbrojtës pas mesazheve kërcënuese nga ish-bashkëshorti.

Rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, më 9 nëntor, rreth orës 03:59. Një mashkull kosovar është arrestuar, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij.


Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Fushë Kosovë, më 9 nëntor, rreth orës 19:00. Një mashkull kosovar ka raportuar se ishte viktimë e dhunës psikike nga djali i tij. Në konsultim me prokurorin, rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, më 8 nëntor, në Prishtinë është raportuar edhe një rast i dhunës në familje dhe kanosjes.

Sipas raportit policor, ish-bashkëshorti i viktimës, i cili jeton jashtë vendit, dyshohet se përmes rrjeteve sociale u ka dërguar asaj dhe familjarëve të saj mesazhe me përmbajtje kërcënuese.

Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është futur në kërkim nga policia. Për rastin është njoftuar prokurori. /Telegrafi/