Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shfaqen zhvillime pozitive drejt përfundimit të konfliktit me Iranin, pas një bisede me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Përmes një reagimi në platformën e tij Truth Social, Trump e cilësoi bisedën me kryeministrin e Katarit si të shkëlqyer, duke bërë të ditur se në qendër të diskutimit kanë qenë zhvillimet e lidhura me Republikën Islamike të Iranit dhe situata në rajon.
“Kam zhvilluar bisedë të shkëlqyer me Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, kryeministrin e Katarit, gjatë së cilës u diskutuan shumë çështje lidhur me Republikën Islamike të Iranit”, shkroi presidenti amerikan.
Trump bëri gjithashtu të ditur se disa prej vendeve të rajonit, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin, do të preferonin ruajtjen e status quo-së në raport me Iranin.
Sipas tij, kjo nënkupton vazhdimin e bllokadës detare dhe operacionit të ri të emërtuar “Porta e Hekurt”, të cilin presidenti amerikan e përshkroi si një operacion që përfshin veprime si në tokë ashtu edhe në det.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur zhvillimet rreth Iranit dhe përpjekjet për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Përfshirja e vendeve të Gjirit në këto zhvillime konsiderohet gjithashtu e rëndësishme për të ardhmen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Presidenti amerikan ritheksoi se një prej objektivave kryesore të politikës së Uashingtonit mbetet pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore, duke nënvizuar se kjo është një çështje për të cilën administrata e tij nuk do të bëjë kompromis.
“Po shohim vrull pozitiv drejt përfundimit të këtij konflikti dhe do të sigurohemi që interesat e Amerikës të mbrohen në çdo kohë”, deklaroi Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje konkrete mbi hapat e mëtejshëm që mund të ndërmerren për t'i dhënë fund konfliktit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse zhvillimet diplomatike dhe qëndrimet e vendeve të rajonit do të krijojnë kushtet për një zgjidhje më të qëndrueshme.







Komente
Komento