Grabitja e dy bankave në Tiranë! Detaje nga dëshmia e 50-vjeçarit: 100 mijë eurot e vjedhura i shpenzova në kazino
Robert alias Albert Duka, i dyshuar për grabitjen e dy filialeve bankare në Tiranë më 2 qershor dhe 2 nëntor, ka deklaruar para hetuesve se pjesën më të madhe të shumës së grabitur, që kap vlerën e mbi 100 mijë eurove, e ka shpenzuar në kazino të ndryshme në kryeqytet.
Sipas dëshmisë së tij, pas grabitjeve 50-vjeçari ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të parave për të luajtur në disa kazino në Tiranë. Në këtë kuadër, grupi hetimor ka kërkuar informacion nga këto subjekte për të verifikuar nëse Duka ka qenë klient i regjistruar dhe nëse ka kryer transaksione apo lojëra me shuma të konsiderueshme.
Ndërkohë, rreth 6 mijë euro nga shuma e grabitur mësohet se ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit. Të dy personat janë marrë në pyetje nga hetuesit, ku kanë deklaruar se paratë i kishin marrë pasi Duka ua kishte pasur borxh.
Pjesa më e madhe e parave është gjetur në banesën e tij në Vlorë, ndërsa në Tiranë 50-vjeçari jetonte me qira.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila punon gjithashtu në një bankë të nivelit të dytë. Për paratë e gjetura në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të siguruara nga shitja e një banese në kryeqytet.
E kaluara kriminale në Greqi
Robert alias Albert Duka rezulton të ketë një të kaluar kriminale edhe në Greqi. Në vitin 2010, ai u arrestua së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, nën dyshimin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që kishte kryer 26 grabitje të armatosura në supermarkete në zonën e Atikës.
Sipas të dhënave të hetimit, nga viti 2007 deri në vitin 2010, përfitimet nga këto grabitje kapnin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.
Pas arrestimit, ai u dërgua në burg, por në vitin 2016 u arratis nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të burgosur të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës.
Në vitin 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.
Ndërkohë, Policia e Tiranës pritet të nisë edhe një hetim pasuror ndaj Dukës, me qëllim verifikimin e burimeve të të ardhurave dhe pasurive të tij, si dhe gjurmimin e plotë të shumës së grabitur.
/vizionplus.tv




