Një ligjvënës republikan në Shtetet e Bashkuara ka ndërmarrë një nismë për të detyruar zhvillimin e një votimi për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Nisma vjen në një kohë kur brenda kampit republikan po shfaqen përplasje lidhur me vendimet dhe veprimet e administratës së presidentit Donald Trump.

Kongresmeni Thomas Massie, përfaqësues i shtetit të Kentucky-t, ka paraqitur tetë nene për shkarkimin e Hegseth, duke e akuzuar atë për zhvillimin e luftës në mënyrë të paligjshme, pa autorizimin e Kongresit, si dhe për shpërdorim të kompetencave zyrtare.

Gjatë fjalës së tij në Dhomën e Përfaqësuesve, Massie deklaroi se sekretari i Mbrojtjes ka kryer shkelje të rënda ligjore gjatë ushtrimit të detyrës dhe se ka zbatuar urdhra që, sipas tij, ishin të paligjshëm.

Massie, i cili ndodhet drejt fundit të mandatit të tij si kongresmen, njihet si një kritik i hapur i presidentit Donald Trump. Ai pritet të kërkojë mbështetjen edhe të disa anëtarëve të tjerë republikanë për të çuar përpara nismën dhe për të detyruar zhvillimin e votimit.

Sipas rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve, votimi për nenet e shkarkimit duhet të zhvillohet jo më vonë se dita e mërkurë. Nisma pritet të vërë në provë qëndrimet e ligjvënësve republikanë ndaj sekretarit të Mbrojtjes dhe të hapë një tjetër debat politik brenda shumicës që mbështet presidentin Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb