Kurti takon presidentin e Senatit francez, kërkon mbështetje për integrim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher, në prag të nisjes së Forumit të Paqes në Paris.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e vendit.
Ai ka bërë të ditur se në takim janë diskutuar stabiliteti institucional dhe politik pas zgjedhjes së presidentes, prioritetet e Qeverisë për mandatin e ri, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Ndër temat e diskutuara kanë qenë edhe investimet në infrastrukturën hekurudhore dhe sportive, ndërtimi i digave dhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes.
Kurti ka thënë se me Larcher kanë diskutuar gjithashtu për reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës.
Në këtë takim, kryeministri ka theksuar rëndësinë e mbështetjes franceze për avancimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit në NATO.
Sipas Kurtit, përkrahja e Francës në këto procese do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




