Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi mblidhet të enjten, në rend dite interpelanca e Vitisë për vdekjen e pacientes me kancer

kryesia e kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar seancën e radhës plenarë për ditën e enjte. 

Në rend të ditës në këtë seancë është interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike, për të cilën raportoi KOHA para dy javëve.

Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit, “Renesansa”, njoftoi se pacientja humbi betejën me kancerin, pasi për katër muaj mbeti pa këtë medikament.

Ndërkohë në rend dite në seancë janë edhe mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë, deklarimet jashtë rendit të ditës të deputetëve si dhe pyetjet parlamentare. 

Gjithashtu në rend dite janë vendosur edhe katër projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën.

Raporti i Progresit, Lushaku-Sadriu: Këtë javë pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme

15 o. më parë / 9 nën 2026 12:24
lushaku-sadriu

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, përkatësisht të mërkuren, pritet të mbahet një seancë për të diskutuar edhe rezultatet e gjetjet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Lushaku ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë, në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare, janë diskutuar disa çështje me rëndësi për qytetarët, me theks të veçantë gjendja në shëndetësi dhe sektori i energjisë.

Ajo ka theksuar se gjendja në shëndetësi kërkon vëmendje të veçantë, në mënyrë që qytetarëve të mos u mungojnë shërbimet shëndetësore dhe barnat esenciale.

“Në Kryesinë e Kuvendit, në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare, diskutuam për disa pika, kryesisht për çështjet dhe temat të cilat janë jetike për qytetarët: duke filluar me shëndetësinë dhe energjinë, dy tema që janë secila prej tyre jashtëzakonisht të rëndësishme për shkak të situatës së rëndë që po e vuan shëndetësia, në mënyrë që të mos mungojnë shërbimet dhe barnat esenciale”, ka deklaruar Lushaku.

Sa i përket sektorit të energjisë, ajo ka bërë të ditur se është paraqitur një mocion përmes të cilit synohet të zhvillohet debat parlamentar dhe të kërkohet llogaridhënie lidhur me blerjen dhe menaxhimin e energjisë.

“Po ashtu, kishim edhe një paraqitje të një mocioni, në të cilin do të ketë diskutim dhe llogaridhënie sa i përket çështjes së energjisë, blerjes dhe menaxhimit të energjisë, e pastaj kishte edhe çështje të tjera formale që kjo Kryesi i miratoi”, është shprehur ajo.

Lushaku ka folur edhe për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, të publikuar javën e kaluar, duke e cilësuar atë si alarmant. Sipas saj, raporti ka evidentuar probleme dhe dështime të Qeverisë në disa fusha.

Ajo ka bërë të ditur se në këtë drejtim është ndërmarrë një nismë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave, ku deputetët do të diskutojnë rezultatet dhe konstatimet e raportit.

“Ndërkohë, po ua kujtoj se javën e kaluar kemi pasur Raportin e Progresit, i cili ka qenë një raport alarmant që ka vërtetuar dështimin e kësaj qeverie dhe këtij pushteti në shumë fusha. Në kontrast me këtë, Kryesia ka marrë nismën për përcjelljen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave, në të cilën do të diskutohet për rezultatet dhe konstatimet e Raportit të Progresit”, ka thënë Lushaku.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së ka bërë të ditur se për procedurën formale të thirrjes së kësaj seance do të mblidhen dhe nënshkruhen nënshkrimet e nevojshme, duke theksuar se janë siguruar nënshkrime nga të gjitha partitë politike.

Sipas saj, kjo nismë është pjesë e rolit të opozitës për të kërkuar përgjegjësi nga Qeveria lidhur me reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Për këtë procedurë formale do t’i bëjmë sot nënshkrimet; kemi mbledhur nënshkrime nga të gjitha partitë politike dhe në këtë mënyrë po luajmë rolin tonë si opozitë për të kërkuar llogaridhënie për reformat që ka konstatuar edhe Raporti i Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë fare në fokus dhe faktikisht kjo po e stagnon Kosovën në rrugëtimin e saj evropian”, shtoi Lushaku.

Tahiri: Të enjten debatohet për energjinë, mbi një miliard euro për blerjen e rrymës kërkojnë hetim

15 o. më parë / 9 nën 2026 12:11 Nga: Valbona Bytyqi
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kërkesa e grupit të tij parlamentar për debat lidhur me sektorin e energjisë është miratuar dhe se kjo çështje do të diskutohet të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se debati do të përqendrohet në mungesën e energjisë elektrike, çmimin e rrymës, si dhe transaksionet dhe procesin e blerjes së energjisë.

Ai ka ngritur shqetësime për mbi një miliard euro të shpenzuara për blerjen e energjisë elektrike gjatë viteve të qeverisjes aktuale, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të jetë objekt i hetimeve nga Prokuroria, por edhe i shqyrtimit parlamentar.

“Ajo që ka ndodhur ndër vite të kësaj qeverie, blerja e rrymës mbi 1 miliard euro është çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda prokurorisë, por edhe diskutim parlamentar pasi që është e pabesueshme që 6 vjet të mos mund të rinovohet B1-shi dhe ju e dini që ajo do të dokumentohet të enjten që B1-shi as nuk është në funksion e as do të mund të hyjë në funksion. Tema e energjisë është tema kyç, është tema kyç për ekonominë dhe mbi të gjitha për çmimet e larta që janë në Kosovë”, ka thënë ai para gazetarëve.

Krahas energjisë, ai ka bërë të ditur se Aleanca do të trajtojë edhe çështjen e shërbimeve shëndetësore, me fokus në gjendjen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe vështirësitë me të cilat përballen familjet gjatë kërkimit të shërbimeve mjekësore.

Sipas tij, kjo çështje do të trajtohet nga perspektiva e shërbimeve publike që ofron Ministria e Shëndetësisë.

“Mendojmë që ballafaqimi me QKUK-në, ballafaqimi me kërkesën e shërbimit shëndetësor është ballafaqim me stresin më të madh që mundet me u përballë një familje. Këtë do ta trajtojmë prej perspektivës së shërbimit publik që ofron MSH-ja”, ka deklaruar ai.

Nagavci për Ligjin për Specialen: Po diskutojmë me PDK-në, synojmë pajtueshmëri

15 o. më parë / 9 nën 2026 12:03
arberie nagavci

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se seanca e Kuvendit është caktuar të mbahet të enjten, në orën 10:00.

Ajo ka thënë se, përveç pikave të rregullta, do të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur edhe për kthimin e Lligjit për Specialen në Kuvend. Ka deklaruar se janë duke diskutuar me PDK-në si parti iniciuese e ligjit.

Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”.