
Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes, e quan veten “sekretar të Luftës”, pjesë e përpjekjes së tij për të ndryshuar imazhin e ushtrisë amerikane, të cilën e kishte cilësuar si tepër të dobët dhe “woke” kur mori detyrën vitin e kaluar. Tani, me një votim të pritshëm në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e tij këtë javë, ai mund të ketë së shpejti diçka të përbashkët me një sekretar të vërtetë të Luftës.
William Belknap, i cili mbante këtë titull në vitin 1876, u bë drejtuesi i parë dhe deri më sot i vetmi civil i ushtrisë amerikane ndaj të cilit Kongresi ka nisur procedurë shkarkimi, shkruan Reuters.
Deputeti amerikan Thomas Massie, republikan nga Kentaki, paraqiti të hënën tetë nene për shkarkimin e Hegseth, duke vënë në lëvizje një afat dyditor për një votim të mundshëm në Dhomën e Përfaqësuesve. Akuzat përfshijnë nisjen e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit dhe abuzime të tjera me pushtetin.
olur për gazetarët, Massie paralajmëroi se drejtuesit republikanë mund të përpiqen të shmangin një votim të drejtpërdrejtë për shkarkimin, duke synuar rrëzimin e nismës përmes një mocioni procedural.
“Ata mund të përpiqen t’i shmangen një votimi të vërtetë mbi thelbin e kësaj çështjeje. Ne duhet të zhvillojmë një votim dhe një debat të plotë mbi këto tetë nene të shkarkimit”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Burime nga Kongresi thonë se rezoluta mund të sigurojë votat e nevojshme për t’u miratuar, edhe pse republikanët e presidentit Donald Trump vazhdojnë të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve deri më 3 janar, kur demokratët do të marrin drejtimin. Megjithatë, shpallja fajtor e Hegseth në Senat duket e pamundur, pasi kërkohet një shumicë prej dy të tretash dhe republikanët zotërojnë 53 nga 100 vendet.
Presidenti Donald Trump, në një intervistë për Reuters të hënën, mbrojti fuqimisht Hegseth, duke iu referuar performancës së ushtrisë amerikane në Iran dhe Venezuelë.
“Epo, ai fitoi dy luftëra. Nuk e di se si mund ta shkarkoni”, tha Trump.
Më vonë, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se do të vazhdonte ta mbështeste Hegseth edhe nëse do të shkarkohej dhe e cilësoi Massie-n si “një humbës të pandreqshëm”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u shpreh kundër kësaj nisme, duke thënë se shkarkimi i Hegseth “në mes të luftimeve jashtë vendit” do të ishte “një gjë e tmerrshme për aleatët dhe armiqtë tanë”.
Pakënaqësia e votuesve ndaj luftës ndihmoi demokratët të fitonin kontrollin e Kongresit në zgjedhjet afatmesme të javës së kaluar, duke thelluar përçarjet brenda Partisë Republikane për një konflikt që zëvendëspresidenti JD Vance e ka vënë publikisht në pikëpyetje, ndërsa Hegseth e ka mbrojtur si “guximtar dhe historik”.
I akuzuar për marrjen e ryshfeteve të mëdha, Belknap i paraqiti presidentit Ulysses Grant dorëheqjen përpara votimit të planifikuar për shkarkimin e tij dhe, sipas historikut të Senatit, “shpërtheu në lot”. Dhoma e Përfaqësuesve votoi gjithsesi për shkarkimin e tij, por Senati e shpalli më vonë të pafajshëm, pasi nuk u arrit shumica prej dy të tretash.
Në të kundërt, Hegseth premton të qëndrojë në detyrë dhe të luftojë kundër nismës për shkarkimin e tij.
Hegseth thotë se nuk është i shqetësuar
Hegseth ka ndërmarrë një fushatë në rrjetet sociale, duke deklaruar në një videomesazh sfidues javën e kaluar se nuk do të tërhiqet. Ai bëri gjithashtu një krahasim me Trumpin, ndaj të cilit është ndërmarrë dy herë procedurë shkarkimi, duke thënë:
“Kjo nuk funksionoi kundër presidentit Trump dhe nuk do të funksionojë as kundër meje”.
I pyetur të hënën nëse kishte mbështetjen e mjaftueshme të republikanëve për të rrëzuar nismën e shkarkimit, Hegseth u përgjigj: “Ne nuk jemi të shqetësuar për këtë”. Ai njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp të martën, e para në Pentagon që prej muajit maj.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili është gjithashtu këshilltar për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, e cilësoi nismën për shkarkimin e Hegseth si “të padrejtë”.
“Unë mendoj se Pete ka bërë një punë të mirë. E them vërtet këtë”, u tha ai gazetarëve.
Në intervistën për Reuters, Trump vlerësoi performancën e Hegseth në luftën me Iranin, e cila ndodhet në një ngërç, si dhe në Venezuelë, ku ushtria amerikane rrëzoi presidentin e këtij vendi, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni të befasishëm komando në janar, duke sulmuar kompleksin e tij në kryeqytetin venezuelian.
“Po ata që ishin përgjegjës për Vietnamin, Afganistanin, Irakun dhe të gjitha ato luftëra, ku luftuam pafundësisht dhe nuk ndodhi asgjë? A duhet t’i shkarkojmë edhe ata?”, pyeti Trump.
A rrezikohet financimi i mbrojtjes?
Disa ligjvënës republikanë kanë shprehur shqetësimin se, nëse Hegseth qëndron në detyrë, marrëdhëniet e tij të tensionuara me Kongresin mund të minojnë përpjekjet e administratës Trump për të miratuar një paketë financimi prej 1,5 trilionë dollarësh për mbrojtjen.
Massie, një kritik i Trumpit që do të largohet nga detyra në janar, paralajmëroi në një deklaratë të hënën se procedura aktuale e shkarkimit do të ishte “shumë më e butë” krahasuar me atë që e pret Hegseth pasi demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar.
“Ata do të zhvillojnë seanca dëgjimore dhe gjyqe. Presidenti Trump duhet ta zëvendësojë sekretarin Hegseth tani, ndërkohë që ende mund të sigurojë konfirmimin e një pasardhësi në Senat”, tha Massie.
Demokratët kanë premtuar të hetojnë Hegseth për çështje të ndryshme, përfshirë shkarkimin e kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe drejtuesve të tjerë të lartë ushtarakë.
Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi të dielën se ishte “plotësisht pro” një nisme për shkarkimin e Hegseth.
Senatori amerikan Chuck Schumer, demokrat nga Nju Jorku, i cili pritet të bëhet udhëheqësi i shumicës në Senat, tha të hënën se Senati duhet ta gjykojë Hegseth.
“Hegseth e nisi këtë luftë në mënyrë të paligjshme, duke shpërfillur hapur Kushtetutën dhe disa rezoluta për Kompetencat e Luftës, të miratuara nga ky Kongres me qëllim për t’i dhënë fund luftimeve”, tha ai.
Tetë nenet e paraqitura nga Massie e akuzojnë Hegseth për “krime të rënda dhe shkelje të tjera të rënda të detyrës”, duke përfshirë nisjen e luftës me Iranin dhe disa abuzime të pretenduara me pushtetin. Mes tyre përfshihet edhe shkelja e të drejtave të senatorit amerikan Mark Kelly, dem
Vitin e kaluar, Hegseth kërkoi ndjekjen penale të Kelly-t, pasi ai dhe pesë demokratë të tjerë në Kongres, me përvojë në ushtri dhe shërbimet e inteligjencës, u kishin bërë thirrje trupave amerikane të refuzonin urdhrat e paligjshëm.
Hegseth i akuzoi ata për kryengritje, një veprim që Trump në atë kohë e cilësoi në një postim në rrjetet sociale si të “dënueshëm me VDEKJE!”.