Trumpi deklaron se SHBA-ja e ka fituar luftën me Iranin, ndërsa Rubio thotë se nuk ka përparim në negociata

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e kanë fituar luftën me Iranin dhe se rifillimi i luftimeve është “shumë pak i mundshëm”, nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Washingtonin.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur forcat amerikane goditën ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se negociatat nuk kanë shënuar përparim.
“Ne fituam në Iran. Tani është vetëm çështje e përfundimit të saj”, deklaroi Trump të dielën, transmeton Telegrafi.
Ai pretendoi se Irani po përballet me kolaps financiar dhe ushtarak, duke shtuar se SHBA-ja ka tre aeroplanmbajtëse në rajon dhe ka identifikuar objektiva infrastrukturore, përfshirë termocentrale dhe ura.
“Ata janë një shtet në dështim. Sapo e patë, këtë vit kanë pasur inflacion prej 301 për qind”, tha Trump, duke pretenduar se ekonomia iraniane po dobësohet rëndë. Sipas shifrave zyrtare të Iranit, inflacioni vjetor në shtator ishte afër 90 për qind.
Presidenti amerikan paralajmëroi se vendimi përfundimtar për sulme të mundshme do të varet nga fakti nëse Teherani pranon një marrëveshje të fortë.
“Ne kemi 38 ura në shënjestër, të cilat mund t'i shkatërrojmë brenda vetëm një ore”, tha ai, duke shtuar se heziton të ndërmarrë një veprim të tillë.
Trump deklaroi se rindërtimi i infrastrukturës iraniane mund të zgjasë një dekadë, por theksoi se SHBA-ja do të vepronte nëse do të ishte e nevojshme.
Ai pretendoi gjithashtu se SHBA-ja nuk ka pësuar asnjë viktimë në këtë luftë. “Nuk kemi humbur askënd. Asnjë ushtar”, tha Trump.
Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare të Pentagonit, që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit janë vrarë 23 pjesëtarë të forcave amerikane.
Të dielën në mbrëmje u raportuan shpërthime në Mahshahr, ishullin Qeshm, Sirik dhe Bandar Abbas. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim konfirmoi se një predhë amerikane goditi ishullin Qeshm, duke shtuar se nuk kishte raportime për goditje në zona të tjera të provincës Hormozgan.
Sipas agjencisë, zhurmat e dëgjuara në Bandar Abbas dhe Sirik lidheshin me operacionet e forcave iraniane të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Më herët, marina iraniane njoftoi se një cisternë nafte kishte goditur një minë detare gjatë kalimit nëpër ngushticë dhe kishte marrë flakë. Sipas Teheranit, anija po lëvizte në një itinerar të ndaluar.
Irani i konsideron shkelje të rregullave të tij lëvizjet e anijeve në itinerarin jugor të ngushticës, kur ato udhëtojnë nën udhëzimet e marinës amerikane.
Ndërkohë, të shtunën Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) raportoi një sulm ndaj një anijeje tregtare në Gjirin e Omanit, duke pretenduar se ajo kishte tentuar vazhdimisht të thyente bllokadën detare amerikane ndaj Iranit.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se dy cisterna nafte kishin marrë flakë pasi kishin goditur mina gjatë kalimit nëpër ngushticë.
CENTCOM njoftoi gjithashtu krijimin e një task-force të re, e cila, sipas saj, do të mbështesë përpjekjet e qeverisë amerikane për të penguar Iranin të përdorë rrugët tokësore për transportimin e armëve të avancuara dhe pajisjeve të tjera.
Trump deklaroi më pas se kjo forcë tashmë po funksionon me kapacitet të plotë, krahas asaj që ai e cilësoi si bllokada më të madhe detare në histori.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se kërkesat e Iranit janë të papranueshme dhe se disa prej tyre janë “të ekzagjeruara, qesharake dhe jorealiste”.
Ai bëri të ditur se nuk mund të raportonte ndonjë përparim në negociata, duke vlerësuar se hapat e ndërmarrë deri më tani nuk kanë qenë konstruktivë. Sipas tij, veprimet amerikane në Ngushticën e Hormuzit kanë karakter mbrojtës.
“Nuk do të thosha se jemi pranë një përparimi të madh. Trump gjithmonë do të preferonte t'i zgjidhte problemet përmes diplomacisë. Por ndonjëherë kjo nuk është e mundur”, deklaroi Rubio.
Ai shtoi se Washingtoni do të shqyrtojë çdo mundësi për zgjidhje diplomatike, por deri tani procesi nuk ka qenë produktiv.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i hodhi poshtë të hënën vlerësimet e Rubios, duke thënë se mbrojtja e të drejtave dhe interesave të popullit iranian nuk është e paarsyeshme.
Ai kërkoi që SHBA-ja të heqë sanksionet, të përfundojë bllokadën detare dhe luftën në të gjitha frontet përpara se të nisin negociatat. Sipas tij, propozimi dyditor i Iranit për rikthimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit mbetet ende në tryezë.
Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ka pezulluar përkohësisht procesin e ndërmjetësimit. Sipas tij, ndërmjetësit nuk kanë udhëtuar prej disa ditësh, ndërsa pritet të qartësohet situata politike.
Në një reagim në platformën X, Araghchi tha se Washingtoni duhet të zgjedhë mes pranimit të kushteve të Iranit dhe rifillimit të luftës.
“Amerikanët janë qartazi të lodhur nga fakti që Izraeli i fut administratat amerikane në luftëra pa fund. Ata e kanë pasur mjaft. Edhe rajoni ynë”, shkroi ai.
Katari bëri të ditur se Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me emirin Tamim bin Hamad Al Thani, ku ishte diskutuar ulja e tensioneve në rajon.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në Washington.
Araghchi deklaroi se gjatë ditëve të fundit kishte qenë në kontakt me homologët e tij në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman, Pakistan, Kuvajt, Jordani, Turqi, Qipro dhe Katar.
Në një intervistë të veçantë për CBS, Trump tha se Irani është afër arritjes së një marrëveshjeje, por pretendoi se rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit u ka dhënë autoriteteve iraniane shpresë të re.
Ai përsëriti se nuk synon përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës dhe se nuk sheh arsye për ta bërë këtë.
Trump zbuloi gjithashtu se SHBA-ja ka nën mbikëqyrje një objekt nëntokësor iranian, vendndodhjen e të cilit nuk e bëri publike. Sipas tij, ky objekt mund të goditet brenda një ore nëse do të ishte e nevojshme, por për momentin një veprim i tillë nuk konsiderohet i domosdoshëm. /Telegrafi/





































