Reforma Zgjedhore në Top Story, Curri: Shpresoj që qytetarët të përmbysin klasën politike

09/11/2026 22:39

Reforma Zgjedhore dhe ndikimi i saj në fuqizimin e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre u diskutuan në emisionin “Top Story”, me Grida Dumën.

Analisti Arian Curri komentoi raportin mes politikës, financimit dhe interesave ekonomike, duke bërë një paralelizëm mes sistemit amerikan dhe atij shqiptar.

Curri ngriti pikëpyetje mbi vullnetin e partive politike për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe shprehu shpresën se qytetarët do të arrijnë të sjellin një ndryshim në klasën politike shqiptare.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo që ne i themi korrupsion, quhet lobizëm. Në SHBA analistët thonë se shikoni se kush mbledh më shumë para gjatë fushatës, fiton. Në Amerikë e ka pushtetin Trump, CIA, FBI, apo të gjithë bashkë, në një lojë fuqie.

Në Shqipëri, prapë mendoj, se nëse themi oligarku më i madh është Rama, këtu mbaron. Por nëse themi se ka më shumë, ata se kanë problem se kush fiton, se prapë do marrin tendera”, tha Curri.

I pyetur nga Griida Duma “në këto momente, ti shikon ndonjë ndryshim në frontin e zgjedhjeve?”, analisti u shpreh:

“Shikoj që të dyja partitë do thonë nuk do tjetra. PS thotë ua jap 100 për qind, na duhen 101 deputetë. Do gjejnë justifikim. Pikëpyetja është se populli ynë demokratik a do e ketë fuqinë ta përmbysë këtë klasë politike. Unë shpresoj se do ndodhë kjo”.

Top Channel