Politika është “sporti” më i pistë në botë. Dikush mund të punojë fizikisht nëpër kanalet e ujërave të zeza, të shkojë në shtëpi, të lahet, të vishet dhe të dalë i pastër në publik. Kurse një politikan, po u njollos, ajo njollë mund t'i mbetet gjithë jetën edhe sikur të dalë i pafajshëm.

Kjo është një nga arsyet pse edhe në vendet më të civilizuara nuk gjen parlamente me 100 për qind të elitës kombëtare. Paramendo një shkencëtar që ka investuar 30 vite të jetës së tij në dije dhe në kontribut për vendin, i cili vendos t'i futet politikës dhe një militant në rrugë, me celular në dorë, i drejtohet me fjalët “o idiot”, “o maskara”, “o zar i filanit” dhe plot epitete të tjera fyese, vetëm sepse i përket krahut kundërshtar. Prandaj ai preferon të qëndrojë në habitatin e tij studimor, sesa të telendiset familjarisht faqe botës nga lloj-lloj tifozi edepsëz.

Sa herë dëgjoj ithtarët e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, më bën përshtypje se krijojnë idenë sikur po të kemi një kod tjetër me lista krejtësisht të hapura, në parlament do vijë ajka e kombit. Njerëz aq të ditur e të kulturuar, sa do të skuqeshin në fytyrë nga turpi edhe po të shihnin njëri-tjetrin në sy. Është një iluzion i rremë, sepse vota e drejtpërdrejtë nuk është garanci se do të fitojë më i dituri, më i përgatituri apo më i ndershmi. Kush e pengon të fitojë dikë që ka më shumë para, më shumë agresivitet, më shumë organizim e më shumë njohje? Lista e hapur mund të ndryshojë mënyrën se si zgjidhen deputetët, por jo kulturën politike të elektoratit.

Ndërkohë listat e mbyllura kanë avantazhin sepse krijojnë mundësinë që në parlament të përfshihen njerëz të universiteteve apo të profesioneve të tjera, të cilët nuk kanë fillimisht njohjen mediatike apo organizimin për të fituar një garë me lista të hapura. Një ekspert i njohur në fushën e tij është një kontribut i çmuar për parlamentin, por jo një kandidat që di të bëjë fushatë dhe të mbledhë vota në terren.

Këtu lind problemi se kush i përzgjedh dhe mbi çfarë kriteresh. Lista e mbyllur është një mundësi për të përfshirë njerëz me vlera, por edhe një mënyrë për të futur në Kuvend njerëz besnikë të kryetarit. Nga ana tjetër lista e hapur ka avantazhin që qytetari të ndëshkojë kandidatët e papëlqyer edhe kur ata janë preferencë e kryetarit. Pra, njëra shpall fitues njerëz që nuk do të fitonin dot një garë popullariteti, ndërsa tjetra kufizon kontrollin e kryetarit mbi përzgjedhjen e deputetëve. Prandaj çdo formulë kërkon kompromiset e veta dhe në fund duhet të zgjedhësh se cilat mangësi je gati të tolerosh.

Shqipëria në këto 36 vite ka provuar pothuajse të gjitha versionet e zgjedhjeve dhe asnjëri prej tyre nuk na ka garantuar një parlament të përsosur. Aktualisht kemi një sistem miks, ku një pjesë e deputetëve zgjidhen përmes listave të mbyllura dhe një pjesë përmes votës preferenciale, ku kandidatët përballen edhe me konkurrencën brenda partisë së tyre. Megjithatë edhe ata që dolën fitues nga vota preferenciale nuk është se bënë ndonjë diferencë mbresëlënëse nga ata që hynë në Kuvend përmes listës së mbyllur.

I vetmi sistem që Shqipëria nuk e ka provuar ende është ai proporcional kombëtar, me një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100 për qind të hapura, siç e ka Kosova. Por po të shohim zhvillimet politike atje, as ajo mënyrë nuk i ka shmangur përplasjet e forta politike, interesat e ngushta partiake, fyerjet e rënda personale apo kriza që zgjasin me vite. Pra, as modeli kosovar nuk është ndonjë formulë magjike, ku vetëm duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së deputetëve garantohet një politikë më cilësore dhe më e përgjegjshme.

Ajo që nuk thuhet prej atyre që kërkojnë ndryshimin e sistemit, është se një nga pasojat e një ndryshimi të tillë sjell një parlament politikisht më të fragmentuar, ku krijimi i një mazhorance solide bëhet gjithnjë e më i vështirë. Është një film që e kemi parë edhe më parë, këtu dhe në vende të tjera, me qeveri fluide, pazare politike, më jep atë, të të jap këtë. E kemi pasur edhe ne dikur, kur falë këtyre aleancave pa shumë parime ministritë dhe institucionet e varësisë merrnin emrat e kryetarëve të partive të vogla: të Metës, Mediut, Dules, Xhuvelit, Ndokës e kështu me radhë. Nesër mund të kemi të Shehajt, Lapajt, Qorit...

Imagjinoni tani Shqipërinë me kriza politike, pa një qeveri të qëndrueshme, me aleanca që krijohen e prishen sipas interesit të ditës, çfarë situate kaotike do të krijohej në të gjithë sektorët. Kush do të mbante përgjegjësi për ekonominë, investimet, administratën, etj.? Një sistem zgjedhor duhet të ketë parasysh jo vetëm mënyrën se si përfaqësohen qytetarët në parlament, por edhe mundësinë që prej atij parlamenti të dalë një qeveri që ta qeverisë vendin.

Në teori është e thjeshtë për t’u dhënë receta të gatshme demokracie liderëve që udhëheqin partitë, sidomos ato të mëdha. Në ndryshim nga partitë e vogla, ku kryetarët rrinë me vite edhe pse nuk marrin deputet apo kapin një a dy dhe për këtë nuk u kërkon kush llogari, kur vjen puna tek partitë që janë alternativë qeverisëse, barra mbi to kthehet në mision historik. Kur humb zgjedhjet, nuk të thotë askush bravo që e hape partinë edhe pse humbe, por të kërkojnë të lirosh menjëherë krahun. Handikapi më i madh këtu është modeli Berisha, që në çfarëdolloj sistemi të humbasë, rizgjidhet.  Sistemet funksionojnë në të gjitha versionet kur dallga popullore do ndryshim. Por nëse elektorati e shikon opozitën e madhe vetëm tek PD-ja, qoftë kjo edhe me Berishën kryetar humbës, ne nuk duhet të përshtasim sisteme zgjedhore vetëm për hir të Shehjat, Lapajt, Qorit e kujtdo tjetër që nuk di të rritet.

Dhe për ta mbyllur aty ku e nisa, politika nuk është një sport ku ka të mirë e të këqij, por ku ka fitues dhe humbës. Midis fituesve mund të ketë edhe të këqij. Kjo është arsyeja pse humbësit duhet të përmirësohen dhe të luftojnë politikisht për t'u bërë fitues./TemA