E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Basir Çollaku: 1.2 miliardë euro abuzime, duhet SPAK më vete për Kryeministrinë
Lajme

Basir Çollaku: 1.2 miliardë euro abuzime, duhet SPAK më vete për Kryeministrinë

Gazetari Basir Çollaku ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar një hetim të posaçëm për aktivitetin e Kryeministrisë dhe rolin e saj në çështjet që lidhen me tenderët publikë, projektet arkitekturore dhe përdorimin e pronave shtetërore.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Çollaku u ndal te zhvillimet e dosjes “Albanian Files”, duke pretenduar se komunikimet e publikuara mes kryeministrit dhe arkitektëve të huaj përmbajnë ndërhyrje dhe porosi për projekte që lidhen me prona publike. Sipas tij, këto komunikime ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen pasuritë shtetërore dhe kush vendos për fatin e tyre.

“Janë publikuar komunikimet e kryeministrit me arkitektë: ‘Hajde këtu, merr këtë’. Nuk është bahçe e kryeministrit Shqipëria. Është para që qarkullon”, deklaroi gazetari.

Çollaku ngriti gjithashtu dyshime për marrëdhëniet e arkitektëve të huaj me kompani që operojnë në Shqipëri, duke kërkuar që lidhjet e tyre me bizneset vendase të bëhen objekt i një verifikimi të plotë.

Por akuzat e tij u shtrinë edhe te dosja që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe procedurat e tenderëve publikë. Gazetari foli për një vlerë prej 1.2 miliardë eurosh në pretendime për abuzime, duke iu referuar çështjeve që po hetohen nga drejtësia, si dhe numrit të personave të marrë të pandehur.

“Kemi 1.2 miliardë euro pretendime abuzimi për ish-zv.kryeministre të pandehur, 30 të pandehur. Kemi gjysmën e buxhetit të dyshuar për vjedhje. Me 150 të pandehur dhe mungon akuza e grupit të strukturuar kriminal. Ajo është e tillë. Janë 5 shtete kërcasin paratë e shtetit shqiptar… SHISH, policia, të dy drejtuesit të lidhur me organizatë kriminale dhe këtu del se zotëria që propozon dhe emëron nuk ka dijeni. Duhet një SPAK vetëm për godinën e Kryeministrisë, ata kanë përballë edhe pushtetin, politikën edhe mafien. Kanë ngarkesë të madhe”, u shpreh Çollaku.

“Jepja këtij, jepja atij”, Çollaku pretendon se Rama jepte porosi për tenderët e Ballukut

Një pjesë e rëndësishme e deklaratave të gazetarit lidhej me pretendimet për ndërhyrje të drejtpërdrejta të kryeministrit në procedurat e prokurimit publik. Çollaku pretendoi se në komunikimet e bëra publike shfaqen porosi për mënyrën se si duhej të shpërndaheshin projektet dhe kontratat, duke përmendur edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas tij, komunikimet e zbardhura përmbajnë udhëzime që lidhen me përfituesit e mundshëm të tenderëve, ndërsa kërkoi që prokuroria të hetojë rolin e personave që përmenden në këto biseda.

“Duhet një SPAK vetëm për kryeministrinë. Ajo që po ndodh me SPAK më duket mirë me vjehrrën, mirë me burrin. Janë publikuar komunikimet te kryeministri me arkitektë: ‘Hajde këtu, merr këtë’. Nuk është bahçe e kryeministrit Shqipëria. Është para që qarkullon. Nëse i delegon një bakshish x arkitekti. Ka arkitektë që janë lidhur me biznes gri në të zezë.

Në janar të 2022 u theksua nga Dumani se u regjistrua procedimi penal për McGonigal. Në atë padi është Balla, Gjiknuri, Rama, Veliaj. Në 5 vite nuk është marrë për dëshmi as dhe njëri.

Firmos për një kompani fantazmë që nuk ekziston. Si nuk e thërret prokuroria? Me Ballukun ka porosi pafund, jepja këtij, jepja atij. Porosi të kryeministrit që shpërndahen për tenderë publikë. Mjafton një pjesë e dukshme e komunikimeve, përgjimeve, ka dhe përgjime të shëndetshme te SKY Encro. Nëse kujtojmë një nga deklarimet e Ramës, do dëgjoni tha se do flasin për mua në përgjimet e Encro, takoni të gjatin. Dy persona përmenden 80% në Encro: Edi Rama, Taulant Balla”, deklaroi gazetari.

Çollaku përmendi gjithashtu çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, duke rikthyer në vëmendje emrat e Edi Ramës, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit dhe Erion Veliajt në lidhje me zhvillimet e asaj dosjeje. Ai ngriti pikëpyetje për faktin se, sipas tij, gjatë pesë viteve nuk janë thirrur për të dhënë dëshmi personat që përmendi.

Në përfundim, gazetari argumentoi se volumi i çështjeve që po dalin në dritë dhe kompleksiteti i lidhjeve mes politikës, administratës dhe biznesit kërkojnë një kapacitet të posaçëm hetimor. Sipas tij, SPAK përballet me një ngarkesë të madhe, ndërsa hetimet duhet të shtrihen edhe te vendimmarrja në Kryeministri dhe përgjegjësitë e zyrtarëve më të lartë.

Deklaratat e Çollakut vijnë në një moment kur dosjet që lidhen me tenderët publikë, AKSHI-n, ish-zëvendëskryeministren Balluku dhe komunikimet e administruara nga hetimet e SPAK kanë rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e përgjegjësisë politike dhe kontrollit mbi fondet shtetërore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.