Tragjike në Shkodër, rryma elektrike i merr jetën një tjetër elektriçisti
Një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar në vendin e punës, këtë herë në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike gjatë ndërhyrjes për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik.
Viktima, i identifikuar me inicialet A. N., ushtronte detyrën e elektricistit të zonës. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ai është transportuar drejt Urgjencës së Spitalit Rajonal Shkodër rreth orës 20:36, por ka mbërritur pa shenja jete, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 34-vjeçari ishte thirrur nga disa familje të fshatit Bardhaj, të cilat kishin mbetur pa energji elektrike dhe kishin kërkuar ndihmën e tij për riparimin e defektit.
Ndërhyrja mësohet se është kryer jashtë orarit zyrtar të punës. Një prej pistave që po verifikojnë hetuesit është mundësia që elektricisti të jetë ngjitur në shtyllën elektrike pa njoftuar paraprakisht dispeçerinë e OSHEE-së, rrethanë që mund të ketë ndikuar në ngjarjen fatale.
Pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të sqaruar kushtet në të cilat është kryer ndërhyrja, si dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me humbjen e jetës së 34-vjeçarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



