Pavarësisht rikthimit në tryezën e reformës zgjedhore të socialistëve e demokratëve, mbetet për t’i zgjidhur ngërçi për mënyrën sesi do të votohet për këshilltarët bashkiakë pas ndarjes së re territoriale.
Ish-kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, tha në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv se nëse palët bien dakord që në zgjedhje të shkohet me një sistem proporcional të pastër, atëherë sipas tij, duhet ndërhyrë në Kushtetutë.
Kume theksoi se duke ndërhyrë në Kushtetutë, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore del sipas tij ‘jashtë loje’. Prandaj ai propozoi ngritjen e një Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese.
“Ajo që ju thatë ‘nuk është me rëndësi ndarja e shtetit nga partia’, në fakt është çështja më e rëndësishme e shtruar nga opozita. Është kjo çështje që bëri që përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi, të ngrihej e të largohej. Sepse kërkesa e tij në komision ishte ‘të biem dakord për axhendën dhe jo të vijmë këtu me një plan pune të hartuar nga ju’ i tha mazhrancës.
Në 2022, qytetarët mbështetur në të drejtën e tyre kushtetuese ligjvënëse, kanë depozituar në Kuvend draft-ligjin për ndryshime dhe shtesa në kodin zgjedhor, në nenet që trajtonin probleme për zgjedhjet lokale, ku kanë propozuar 100% lista të hapura për këshilltarët bashkiakë. E dyta, detyrimi i partive politike, i subjekteve zgjedhore, që në listat e kandidatëve të tyre të përfshijnë kandidatë nga të gjitha komunitetet që bashkëjetojnë, në një njësi vendore të caktuar. Votimin me 2 raunde për kryetarin e bashkisë. PD ka rënë dakord që kjo të bëhet. PS nuk e kam dëgjuar që është kundra.
Nëse bien dakord që të ndërhyjnë në legjislacionin tonë për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe do ta trajtojnë sistem proporcional i pastër. Hapet diskutimi dhe ky diskutim nuk bëhet në këtë Komision. Është ndryshim kushtetues dhe nëse është ndryshim kushtetues, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ngrejë një komision tjetër. Komisionin për ndryshimet e Kushtetutës. Që do të thotë, kush kërkon që të rregullojmë legjislacionin zgjedhor duke ndërhyrë në Kushtetutë, këtë duhet ta bëjë si një proces gjithëpërfshirës Kushtetues duke dalë jashtë sallës së Kuvendit”, tha mes të tjerash Kume.
Në përfundim Kume, teksa dha edhe mendimin e tij për ‘zgjedhoren’, propozoi që Presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli dhe që Kuvendi i Shqipërisë të jetë me 2 dhoma.
“Dy ndër ndryshimet që unë pres të bëhen nëse preket kushtetuta, janë që ‘Presidenti të zgjidhet nga populli’ dhe ‘Kuvendi të jetë më 2 dhoma’”, shtoi Kume.












Komente
Komento