
Me largimin e Viktor Orbánit të Hungarisë, partia nacionaliste spanjolle Vox pritet të luajë një rol gjithnjë e më qendror si urë lidhëse mes së djathtës ekstreme në Evropë dhe aleatëve të saj politikë në mbarë botën, nga Amerika e Jugut deri te lëvizja MAGA në Uashington.
Ndryshe nga Fidesz-i i Orbánit apo Tubimi Kombëtar i Marine Le Penit në Francë, të cilat kanë kaluar dekada duke ndikuar në politikën kombëtare dhe atë evropiane, Vox-i është një parti relativisht e re, pasi hyri në parlamentin spanjoll vetëm në vitin 2019.
Megjithatë, ajo është një forcë në rritje. Sondazhet parashikojnë që Vox-i të dyfishojë përfaqësimin e tij parlamentar në zgjedhjet e ardhshme të 29 nëntorit në Spanjë, duke u bërë potencialisht një partner i domosdoshëm në një qeveri koalicioni të drejtuar nga kreu konservator i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo.
Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, Vox-i do të hynte në qeveri me një ndikim global shumë më të madh sesa pesha e tij në politikën e brendshme, falë një rrjeti ndërkombëtar që e ka ndërtuar në heshtje gjatë viteve të fundit.
Përmes fondacionit të saj me seli në Madrid, Disenso, partia ka krijuar lidhje me liderë të Amerikës Latine, si Javier Milei i Argjentinës dhe José Antonio Kast i Kilit, ndërsa ka ndërtuar marrëdhënie edhe me figura me ndikim të lëvizjes MAGA në Uashington.
Ndonëse të ndryshme, këto lëvizje bashkohen nga një kundërshtim i përbashkët ndaj establishmentit politik. “Kjo nuk ka të bëjë me zënien e më shumë hapësirave. Ky është një lëvizje”, i tha POLITICO-s në Madrid Jorge Martín Frías, anëtar i Vox-it në Parlamentin Evropian dhe drejtor i Fondacionit Disenso. Aleatët e Vox-it, tha ligjvënësi, “përballen me të njëjtat pengesa, të njëjtat etiketime, të njëjtën dëshirë për t’i asgjësuar… Dhe kështu zhvillohet ndjenja e vëllazërisë”.
E njëjta frymë bashkëpunimi e ka ndihmuar Vox-in të pozicionohet si një partner i besueshëm për të djathtën evropiane. Lideri i saj, Santiago Abascal, tashmë drejton Patriots.eu, grupimin politik pan-evropian që bashkon Fidesz-in dhe Tubimin Kombëtar, si dhe parti të tjera të së djathtës ekstreme, si Lega e Italisë, Vlaams Belang e Belgjikës dhe Chega e Portugalisë.

Abascal dhe udhëheqës të tjerë të së djathtës ekstreme evropiane në një takim të “Patriotëve për Evropën” në Madrid, më 8 shkurt 2025
Frank Furedi, president i Freedom & Sovereignty Initiative Europe me seli në Bruksel, një organizatë konservatore studimore e krijuar nga ekipi kryesor që qëndron pas MCC Brussels, tha se Vox-i “ka qenë jashtëzakonisht efektiv në krijimin e një hapësire të veçantë për veten si një lëvizje e hapur ndaj forcave të tjera politike”.
Guillermo Fernández Vázquez, politolog në Universitetin Carlos III të Madridit, tha se strategjia e Vox-it i kishte mundësuar partisë të grumbullonte një ndikim ndërkombëtar shumë më të madh nga sa do të sugjeronte fuqia e saj elektorale.
“Vox-i është një parti me peshë të kufizuar elektorale në kontekstin evropian të së djathtës ekstreme”, tha ai. “Por, megjithatë, është shndërruar në një nyje komunikimi, një urë, një pikë lidhëse mes së djathtës së re të Amerikës Latine, së djathtës ekstreme evropiane dhe së djathtës trumpiste”.
Përtej Atlantikut
Vox-i ka shprehur hapur interesin e tij për Ibero-Amerikën, e cila përfshin Spanjën, Portugalinë dhe vendet e Amerikës ku fliten spanjishtja dhe portugalishtja.
“Kontinenti i shpresës”, siç e quan Martín Frías, “është tashmë përpara Evropës, edhe në aspektin ekonomik”, duke iu referuar qasjes së Mileit për çrregullimin e tregut dhe reduktimin e rregullave në Argjentinë, përmes politikës së tij të sharrës elektrike, si dhe përpjekjeve të Kastit për të tërhequr investime të huaja në Kili përmes stimujve tatimorë dhe ndryshimeve rregullatore.
Liderët e krahut të djathtë në këtë kontinent, shtoi ai, “po tregojnë se është e mundur të sfidohet politika e dorëzimit që ka mbizotëruar këtu, status quo-ja e Partisë Popullore dhe socialistëve”.
Përmes Fondacionit Disenso, të krijuar në vitin 2020, partia ka ndërtuar një rrjet institucional konferencash, kontaktesh politike dhe programesh trajnimi. Një nga nismat e saj kryesore, Foro Madrid, bashkon parti, politikanë dhe organizata të krahut të djathtë nga e gjithë Amerika Latine.
Gjatë gjashtë viteve të fundit, Vox-i ka kanalizuar miliona euro drejt Disenso-s, duke i siguruar fondacionit burime të konsiderueshme për të kultivuar marrëdhëniet në anën tjetër të Atlantikut.
Sipas politologut Fernández Vázquez, Vox-i identifikoi dhe kontaktoi figura si Milei dhe Kast në një kohë kur lëvizjet e tyre përkatëse ishin ende relativisht të vogla. Këto kontakte të hershme janë shndërruar që atëherë në marrëdhënie me liderë që tashmë janë në pushtet ose mbajnë pozita të rëndësishme në vendet e tyre.
Ky rrjet i ka dhënë gjithashtu Abascalit qasje të drejtpërdrejtë te disa prej figurave më të rëndësishme politike të rajonit, si liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado. Gjatë një vizite në Madrid në prill, ajo u takua me liderin e Vox-it, ndërsa refuzoi dukshëm një ofertë për t’u takuar me kryeministrin Pedro Sánchez.

Lideri i Vox-it, Santiago Abascal, dhe Jordan Bardella, president i Tubimit Kombëtar të Francës, në Ceuta më 12 tetor 2026
Martín Frías ia atribuoi suksesin e Vox-it në ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar refuzimit të partisë për të eksportuar thjesht një model politik spanjoll dhe aftësisë së saj për të mos u përfshirë në mosmarrëveshjet që lidhen me interesat kombëtare.
Ai iu referua mbështetjes së Argjentinës për marrëveshjen tregtare BE-Mercosur, të cilën Vox-i e kundërshton. “Çdo vend dhe çdo lider zbaton rregullat e veta për të mbrojtur interesat kombëtare, të cilat në disa raste do të jenë në kundërshtim me interesat tona”, tha ai. “Kjo është krejt logjike… Kjo është loja në të cilën jemi të gjithë të përfshirë”.
Për Vox-in, Amerika Latine është pjesë e një rrjeti më të gjerë që përfshin edhe Uashingtonin. Në të vërtetë, Martín Frías e ka përcjellë drejtpërdrejt mesazhin e partisë te establishmenti konservator amerikan, duke marrë pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Uashington në vitin 2024, së bashku me Abascalin, si dhe duke folur në aktivitete të organizuara nga organizata e djathtë studimore The Heritage Foundation, përfshirë Forumin e Sigurisë në Miami të vitit 2026.
Furedi tha se anëtarët më të njohur të Vox-it kanë shfaqur një nivel interesi për Amerikën Latine që rrallë gjendet te partitë e tjera të së djathtës ekstreme në Evropë. Sipas tij, partia ishte e interesuar jo vetëm për krijimin e aleancave politike, por edhe për nxitjen e “një kulture hispanike bashkëkohore më dinamike”.
Balázs Orbán, ish-drejtor politik i Viktor Orbánit dhe një figurë e lartë në MCC-në e Hungarisë, i tha POLITICO-s se Vox-i kishte arritur të krijonte një “lidhje” transatlantike falë qasjes “së sofistikuar” të partisë dhe aftësisë së anëtarëve të saj për të folur si anglisht, ashtu edhe spanjisht.
Rikthimi në Bruksel
Qasja e Vox-it ndaj gjuhës dhe identitetit padyshim që i ka dhënë një avantazh në Bruksel.
Partia ka marrë parasysh gabimet e të tjerëve, përfshirë ato të Tubimit Kombëtar të Le Penit, dështimi i të cilit për të ndërtuar lidhje të forta me pjesën tjetër të së djathtës ekstreme i është atribuar pjesërisht refuzimit të anëtarëve të saj për të komunikuar në gjuhë të tjera përveç frëngjishtes.
“[Tubimi Kombëtar] mund të flasë anglisht, por refuzon ta flasë atë… Te Vox-i nuk ekziston kjo dëshirë për të folur spanjisht dhe për ta bërë të madhe faktin se janë shumë krenarë për gjuhën e tyre. Ata janë shumë më të çlirët në këtë drejtim”, tha Furedi.

Abascal përqafon presidentin e Argjentinës, Javier Milei, në një tubim të partisë Vox në Madrid, më 19 maj 2024
Fernández Vázquez tha se kjo e kishte ndihmuar Vox-in të pozicionohej si ndërmjetës në Evropë dhe kishte bërë që figura të tjera të së djathtës ekstreme ta shihnin Abascalin si një zgjedhje të sigurt për të drejtuar Patriots, i aftë për të balancuar ambiciet rivale të Le Penit dhe Orbánit.
Me rënien e Orbánit, shumë aktorë po konkurrojnë tashmë për ndikimin që ai dikur ushtronte.
“Fidesz-i, padyshim, dëshiron të ruajë rëndësinë dhe autoritetin e tij”, tha Furedi. “Edhe italianët, veçanërisht [Vëllezërit e Italisë], janë mjaft të interesuar, ndërsa Meloni dëshiron të shihet si ekuivalentja e asaj që ishte Orbáni në një moment të caktuar”. Megjithatë, shtoi ai, Vox-i dallohet për shkak të rolit të konsoliduar si një “ndërmjetës i paanshëm” dhe bashkëbisedues global.
Martín Frías i Vox-it hodhi poshtë sugjerimin se grupimi i tij thjesht po priste të trashëgonte rolin e Fidesz-it. Në vend të kësaj, ai tha se synimi ishte bashkimi i partive me të njëjtin orientim përballë institucioneve si Komisioni Evropian, të cilin e akuzoi se po minon Bashkimin Evropian, një projekt politik që ai e cilësoi si “një shpikje të mirë”.
Jordan Bardella i Tubimit Kombëtar deklaroi në mënyrë të ngjashme në fillim të këtij viti se partia e tij nuk do të kërkonte largimin nga BE-ja, por synonte ta transformonte atë nga brenda dhe “të ndryshonte gjithçka pa shkatërruar asgjë”.
Ashtu si Martín Frías, edhe Balázs Orbán hodhi poshtë idenë e një kalimi të drejtimit të së djathtës ekstreme nga një parti te tjetra dhe iu referua fillimeve të një aleance më të gjerë, ku përfshihen edhe ish-kryeministri hungarez dhe partia e tij.
“Viktor Orbán ka luajtur gjithmonë një rol shumë të rëndësishëm në lëvizjen patriotike. Ai është babai themelues dhe një nga figurat kryesore intelektuale të saj”, tha ai, duke shtuar se tani që Fidesz-i “nuk është më në qeveri, kemi më shumë kohë për të shpenzuar në Bruksel dhe për t’i përshpejtuar gjërat”.
Martín Frías shprehu optimizëm për atë që zgjedhjet e ardhshme në Spanjë mund të nënkuptojnë për misionin më të gjerë të Vox-it në Evropë.
“Ndryshimet e qeverive në vendet evropiane mund të sjellin ndryshime në Këshillin Evropian”, tha ai, duke përshkruar vizionin e një BE-je të përbërë nga kombe sovrane, të cilat ndjekin interesat e tyre dhe bashkëpunojnë aty ku objektivat e tyre përputhen. “Ekziston një mundësi për të korrigjuar gjithçka që nuk shkon dhe madje për të rifituar besimin e qytetarëve te institucionet”.
Ky ndryshim, argumentoi ai, është tashmë i dukshëm në Parlamentin Evropian, ku Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë “nuk ka zgjidhje tjetër” veçse të bashkëpunojë gjithnjë e më shumë me Patriots.
“Ata nuk e bëjnë këtë nga bindja”, tha Martín Frías. “E bëjnë sepse kanë frikë nga elektorati”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico