E hënë, 9 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 1 orë më parë
Bota

Le Pen kërkon të “godasë” pushtetin e Kaja Kallas, synon që të shkurtojë kompetencat e diplomacisë së BE

Marine Le Pen synon të shkurtojë ndjeshëm kompetencat dhe buxhetin e Shërbimit Diplomatik të Bashkimit Evropian nëse fiton zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027, duke vënë në pikëpyetje edhe rolin e shefes së diplomacisë së Unionit, Kaja Kallas, sipas një artikulli të Politico.

Sipas zyrtarëve të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (National Rally), Le Pen e konsideron Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) një institucion të kushtueshëm, që dublon diplomacinë e shteteve anëtare dhe kufizon aftësinë e tyre për të vepruar në arenën ndërkombëtare.

Charles-Henri Gallois, këshilltar i presidentit të partisë Jordan Bardella, ka kritikuar hapur rolin e Kallas, duke pretenduar se ndikimi i saj është i kufizuar dhe se as SHBA-ja dhe as Kina nuk e njohin autoritetin e saj.

Përplasjet lidhen veçanërisht me politikën ndaj Ukrainës. Kallas është një nga mbështetëset më të forta të Kievit dhe kritiket më të ashpra të Vladimir Putinit, ndërsa Le Pen kërkon një konferencë ndërkombëtare për paqen dhe kundërshton vazhdimin e mbështetjes financiare evropiane për Ukrainën në të njëjtin nivel.

Reklamë

Nëse vjen në pushtet, Le Pen synon gjithashtu të kufizojë kompetencat diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës të institucioneve të BE-së. Ajo ka paralajmëruar se Franca nuk do të pranojë më që Komisioni Evropian të ushtrojë kompetenca që, sipas saj, u takojnë shteteve anëtare.

Plani përfshin edhe një shkurtim prej 11 miliardë eurosh të kontributit të Francës në buxhetin e BE-së për vitin 2027, nga rreth 30 miliardë euro që pritet të jetë kontributi aktual.

Kritikat e Tubimit Kombëtar kanë nxitur reagimin e institucioneve evropiane. Një zëdhënës i EEAS deklaroi se diplomacia evropiane mbron interesat e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë Francën, ndërsa rrjeti i delegacioneve të BE-së në botë përbën një aset strategjik.

Ndërkohë, edhe Franca dhe Gjermania kanë propozuar reforma për riorganizimin e shërbimit diplomatik evropian, ndërsa në Bruksel po shqyrtohen mundësitë për shkurtime të konsiderueshme të buxhetit të politikës së jashtme dhe ndihmës ndërkombëtare.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.