Mesazhe mashtruese që pretendojnë se qytetarët kanë gjoba trafiku, detyrime të papaguara parkimi apo probleme me dërgesat postare po qarkullojnë përmes SMS-ve në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Policia e Shtetit paralajmërojnë se bëhet fjalë për tentativa për përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.
Sipas AKSK-së, autorët përdorin në mënyrë të rreme emrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke u dërguar qytetarëve njoftime për shkelje të trafikut ose gjoba të papaguara. Përmes lidhjeve të përfshira në mesazhe, marrësit orientohen drejt faqeve të falsifikuara, ku u kërkohet të vendosin të dhënat e tyre.
Mesazhet shoqërohen me presion dhe kërcënime për penalizime nëse qytetarët nuk veprojnë menjëherë, me qëllim që ata të mos kenë kohë të verifikojnë vërtetësinë e njoftimit.
AKSK bën të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka marrë masa për adresimin e rastit dhe po vijon monitorimin për identifikimin e tentativave të ngjashme.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të tjera mashtrimi përmes SMS-ve, të njohura si “smishing”, ku përdoren emrat e institucioneve dhe shërbimeve publike për të mashtruar qytetarët.
Përveç mesazheve në emër të DPSHTRR-së, janë identifikuar edhe njoftime të rreme që pretendojnë detyrime të papaguara për parkimin, duke përdorur emrin e Bashkisë Tiranë dhe Shërbimit të Parkimit. Një tjetër skemë paraqitet në emër të Postës Shqiptare, ku qytetarëve u kërkohet të përditësojnë adresën për të marrë pakot e tyre.
Policia thekson se këto tentativa vijnë pas rasteve të mëparshme, kur mashtruesit janë paraqitur si institucione bankare dhe kanë përdorur faqe interneti të falsifikuara për të siguruar të dhënat e përdoruesve.
Qëllimi i këtyre fushatave është marrja e të dhënave të kartave bankare, përfshirë numrin, datën e skadencës, kodin e sigurisë CVV/CVC dhe kodet e verifikimit. Këto informacione mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe tërheqjen e parave nga llogaritë bankare.
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të mos klikojnë në lidhjet e dyshimta dhe të mos u përgjigjen dërguesve. Gjithashtu, u bëhet thirrje të mos vendosin të dhëna personale apo bankare dhe kode verifikimi në faqet që hapen përmes këtyre mesazheve.
Çdo njoftim duhet të verifikohet përmes kanaleve zyrtare të institucioneve, duke aksesuar drejtpërdrejt faqet e tyre të internetit. Mesazhet e dyshimta rekomandohet të bllokohen dhe të raportohen si të padëshiruara.


