
Numri i viktimave nga mbytja e një anijeje që transportonte emigrantë pranë brigjeve të Senegalit ka shkuar në 39, njoftoi të hënën Agjencia Zyrtare e Shtypit e Senegalit (APS), ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë. Ndërkohë, aktivistët kanë kërkuar nisjen e një hetimi mbi mënyrën se si qeveria po trajton emigracionin e parregullt, shkruan Reuters.
Ngjarja ndodhi pranë Kebemerit, një qytet rreth 180 kilometra në veri të Dakarit. Të dielën, Ministria e Brendshme kishte raportuar 21 viktima dhe një person të mbijetuar, i cili ishte shpëtuar nga ekipet e emergjencës.
Katër trupa të pajetë, të gjetur të hënën në mëngjes në gjendje të avancuar dekompozimi, u varrosën pas një ceremonie të përbashkët fetare, të organizuar nga zjarrfikësit, raportoi APS.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme, në bord ndodheshin persona që synonin të emigronin në mënyrë të parregullt. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të personave që ndodheshin në anije.
Mijëra persona kanë humbur jetën gjatë viteve të fundit në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanarie të Spanjës nga Afrika Perëndimore. Sipas organizatës për të drejtat e emigrantëve “Walking Borders”, vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti kanë humbur jetën 635 persona.
Organizata lokale joqeveritare “Action for Human Rights and Friendship” deklaroi të hënën se po i kërkon Asamblesë Kombëtare të Senegalit të nisë një hetim mbi mënyrën se si qeveria menaxhon çështjen e emigracionit.
“Nuk mjafton më vetëm të shprehim keqardhjen për mbytjet e anijeve, të njoftojmë masa kontrolli dhe të numërojmë rastet e ndalimit të emigrantëve”, deklaroi organizata.