FOTO/ Greqi ende mister rreth shkakut të vdekjes së vajzës së gjetur në valixhe

FOTO/ Greqi ende mister rreth shkakut të vdekjes së vajzës së gjetur në valixhe

19:50, 09/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vazhdon të mbulohet me mister ngjarja e rëndë e zbuluar në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës, ku trupi i një 24-vjeçareje nga Burkina Faso u gjet i fshehur brenda një valixheje. Pavarësisht identifikimit të viktimës, autoritetet greke ende nuk kanë përcaktuar shkakun e vdekjes, ndërsa hetimet janë përqendruar te rezultatet e analizave toksikologjike dhe histologjike.

E reja ishte raportuar e zhdukur më 29 tetor, pasi kishte dalë nga banesa në mesditë për një dalje të shkurtër dhe nuk ishte kthyer më. Zhdukja e saj ishte denoncuar në Departamentin e Policisë së Kypselit nga një mik, i cili e priste.

Identifikimi i viktimës u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve, të cilat rezultonin të regjistruara në databazën e autoriteteve greke nga një kontroll i mëparshëm administrativ.

Trupi u zbulua të dielën në mbrëmje, në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Charissis. Një kalimtar njoftoi policinë pasi kishte ndier një erë të fortë që vinte nga një valixhe e braktisur. Kur efektivët e hapën atë, gjetën trupin e 24-vjeçares, me gjymtyrët e poshtme të lidhura.

Ekzaminimi i parë mjeko-ligjor nuk konstatoi fraktura apo dëmtime të dukshme të jashtme që të përcaktonin shkakun e vdekjes. Sipas vlerësimit paraprak, trupi ishte në gjendje të avancuar dekompozimi dhe viktima dyshohet se kishte humbur jetën rreth pesë deri në shtatë ditë para zbulimit.

Hetuesit po presin rezultatet e analizave toksikologjike dhe histologjike, të cilat pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e vdekjes. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe mundësia e përdorimit të substancave.

Fakti që trupi ishte vendosur në një valixhe dhe se këmbët e viktimës ishin lidhur i ka shtuar dyshimet e autoriteteve për përfshirjen e një personi tjetër në fshehjen dhe braktisjen e trupit pas vdekjes.

Hetimet janë marrë përsipër nga Departamenti i Krimeve Kundër Jetës i Policisë Helenike, i cili po mbledh dëshmi dhe po verifikon të gjitha rrethanat e ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco