Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Këtë herë, është televizioni amerikan Fox News që ka publikuar pamje nga përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, të regjistruara pranë Ministrisë së Arsimit.
Në videot e transmetuara shfaqen momentet e ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilat përdorën autobotin me ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa në pamje dallohen edhe protestues të maskuar.
Sipas raportimit të Fox News, protestat në Shqipëri kanë vijuar që prej mesit të tetorit, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e pretenduar në qeveri, mungesën e mundësive për punësim dhe problematikat në sistemin arsimor.
Një tjetër përplasje e fortë u regjistrua më 7 nëntor pranë Ministrisë së Arsimit, ku policia përdori autobotin me ujë dhe spërkatës me piper në përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.
Pamjet e protestës dhe ndërhyrjes policore janë pasqyruar edhe nga media të tjera ndërkombëtare, duke e vendosur revoltën studentore dhe pakënaqësinë qytetare në vëmendjen e opinionit të huaj.












