Kosova nis përgatitjet - 15 lojtarë në fushë, Enis Rexhepi zhvillon stërvitjen e parë

Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, kundër Izraelit dhe Irlandës.
Dardanët kanë zhvilluar stërvitjen e parë në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, ku kanë marrë pjesë 15 futbollistë.
Në mesin e tyre ishte edhe Enis Rexhepi i Sttugartit, i cili ka zhvilluar seancën e tij të parë stërvitore me Kombëtaren e Kosovës.

Ndërkohë, Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus i janë bashkuar sot ekipit në Kosovë, duke iu vënë në dispozicion përzgjedhësit Franco Foda për përgatitjet e këtyre dy sfidave.
Pjesa tjetër e futbollistëve ka zhvilluar një seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit, ndërsa atmosfera në kamp raportohet të jetë shumë e mirë. Ekipi ka nisur punën me përkushtim për t'u përgatitur sa më mirë për dy përballjet e rëndësishme të nëntorit.
Fillimisht, Kosova do të përballet me Izraelin të shtunën në Prishtinë, në një ndeshje me rëndësi të veçantë për renditjen në Grupin B3.
Pas kësaj përballjeje, skuadra e Franco Fodës do të udhëtojë drejt Irlandës, ku tri ditë më vonë do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të këtij edicioni. /Telegrafi/










































