Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka përjetuar momente të veçanta emocioni gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit “Sport Civiltà”, të organizuar në Teatro Regio të Parmës. Tekniku rumun nuk arriti t'i mbante lotët kur foli për të atin, i cili nuk jeton më, por me të cilin vazhdon të komunikojë në mënyrën e tij.
“Shpresoja ta përfundoja fjalën me falënderime dhe jo me një lot. Edhe sot, në moshën 46-vjeçare, vazhdoj të flas me babanë tim, edhe pse ai nuk është më. Unë ende flas me të”, u shpreh Chivu mes emocionesh.
Përpara këtij momenti prekës, trajneri zikaltër foli edhe për disa prej problemeve të futbollit italian, duke u ndalur veçanërisht te mungesa e Italisë në tre Botërorët e fundit.
“Ka shumë arsye pse Italia nuk ka marrë pjesë në tri Kupat e fundit të Botës. Ende nuk kemi gjetur zgjidhjen”, deklaroi ai.
Chivu kritikoi gjithashtu mënyrën se si trajtohet futbolli në sektorin e moshave, ku sipas tij, rëndësia e rezultateve dhe presioni mbi trajnerët shpesh lënë në plan të dytë edukimin dhe zhvillimin e talenteve.
“Flitet shumë për taktikat në futbollin e të rinjve, por trajnerët paguhen pak dhe pozicioni i tyre varet nga rezultatet. Kjo krijon shumë presion. Ne kërkojmë rezultate të menjëhershme, ndërsa disa trajnerë harrojnë se duhet të jenë edhe edukatorë”, theksoi tekniku.
Ai nënvizoi se brezat e rinj kanë nevojë për një qasje të ndryshme nga ajo që përdorej dikur.
“Gjeneratat e reja janë ndryshe nga ne. Duhet të gjejmë mënyrën e duhur për t'i motivuar. Ndoshta disa vite më parë mjaftonin dy të bërtitura dhe disa fyerje, të paktën për brezin tonë, por sot kjo nuk funksionon më. Duhet më shumë durim, t'u shpjegojmë gjërat dhe të ushqejmë pasionin brenda tyre”, u shpreh Chivu.
Në përfundim, trajneri i Interit kujtoi se për të ndërtuar futbollistë të rinj nuk mjaftojnë ëndrrat, ambicia dhe përgatitja taktike.
“Duhet pasion, duhet të besosh në gjithçka që bën. Ndonjëherë harrojmë të përcjellim edhe vlerat, të cilat janë thelbësore për një projekt me të rinjtë. Nuk mjafton vetëm taktika”, përfundoi ai.
Një fjalim që nisi me reflektime për futbollin dhe përfundoi me një dedikim të ndjerë për babanë, duke zbuluar edhe anën më njerëzore të trajnerit rumun.
© SYRI.net
‘Nuk kam parë kurrë diçka të tillë’, Frank Warren i tronditur nga dëmtimi i frikshëm boksierit Zak Miller
Kaosi në mbrojtjen e Manchester United, 11 formacione të ndryshme në vetëm 15 ndeshje!
Përplasje e fortë mes Mauro Icardit dhe Wanda Naras, ndërhyn policia!Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: