
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut në Gaza shkaktuan shembjen e një shpati ranor mbi çadrat e të zhvendosurve, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe tre fëmijëve të vegjël. Ngjarja nxori në pah rrezikun me të cilin përballen qindra mijëra palestinezë të zhvendosur, ndërsa nis sezoni i shirave dhe dimri po afron, shkruan Reuters.
Mjekët bënë të ditur se reshjet e dendura të shiut, të regjistruara të dielën në mbrëmje, gërryen një shpat shkëmbor ranor pranë një kampi për familjet e zhvendosura, në jug të Deir al-Balah, në Gazën qendrore.
Si pasojë humbën jetën një grua dhe dy fëmijët e saj, përkatësisht 8 dhe 6 vjeç. Viktimë mbeti edhe një fëmijë tjetër 4-vjeçar, ndërsa gjashtë persona të tjerë u plagosën.
Pamjet filmike të verifikuara nga Reuters tregojnë banorët duke përdorur çekiçë për të thyer masat e mëdha shkëmbore ranore, ndërsa të tjerë largonin rërën me lopata dhe kërkonin me ndihmën e elektrikëve personat e bllokuar poshtë rrënojave.
“Çfarë mund të thuhet për situatën në Gaza? Ata që nuk vdiqën nga bombat dhe raketat, po vdesin nga ndërtesat që shemben mbi ta, nga shembja e rërës dhe e maleve”, tha Amal Al-Zein, 35 vjeçe, një e afërme e viktimave.
Sohaib Abu Darbali, një dëshmitar i ngjarjes, tha se shembja e shpatit u dëgjua si një shpërthim.
“Kur mbërritëm, pamë se tri çadra ishin mbuluar plotësisht pasi mali u shemb mbi to. Njerëzit ndodheshin nën rrënoja dhe nuk mund t’i shihnim”, i tha ai Reuters.
Pjesa dërrmuese e popullsisë prej rreth 2 milionë banorësh të Gazës jeton në kampe me çadra ose në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet. Rindërtimi ende nuk ka nisur, pas ofensivës ushtarake dyvjeçare të Izraelit, e cila filloi pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit në vitin 2023.
Për shumë prej tyre, ky është dimri i katërt që duhet të përballen me përmbytjen e çadrave dhe lagien e sendeve personale sa herë që bie shi.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se të paktën 70 mijë çadra u përmbytën gjatë orëve të para pas nisjes së reshjeve të dendura të shiut të shtunën.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) deklaroi se organizatat partnere humanitare kishin marrë kërkesa për ndihmë nga më shumë se 26 mijë familje, të cilat raportuan dëmtime të strehimeve ose të sendeve personale si pasojë e stuhive të shiut gjatë fundjavës.
Një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar parashikonte rindërtimin e ardhshëm të Gazës, por deri më tani është shënuar pak përparim.
Negociatorët nuk kanë arritur të bien dakord mbi kushtet për çarmatimin e Hamasit apo tërheqjen e trupave izraelite, të cilat kontrollojnë rreth dy të tretat e territorit. Banorëve u është kërkuar të largohen nga zonat nën kontrollin izraelit.
Mahmoud Basal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile në Gaza, tha se njerëzit kishin ngritur çadrat pranë shpateve ranore, duke besuar se ato mund t’i mbronin.
“Çadrat nuk mund t’i mbrojnë njerëzit, as nga shiu dhe as nga vapa. Zgjidhja e vetme është rindërtimi”, i tha Basal agjencisë Reuters.
Nga ana tjetër, Izraeli deklaron se rindërtimi nuk mund të nisë përpara çarmatimit të Hamasit.