Së shpejti nisin punimet në rrugët Onhezmi dhe Vangjel Pandi në Sarandë
Dy rrugë të rëndësishme të qytetit të Sarandës, Onhezmi dhe Vangjel Pandi, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve për rikualifikimin e infrastrukturës. Bashkia Sarandë ka tenderin që parashikon punime në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha, trotuare, ndriçim publik dhe shtresa të reja asfaltike.
Fondi limit i përcaktuar për këtë investim është rreth 1.34 milionë euro me TVSH, ose 121.9 milionë lekë me TVSH, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar si procedurë e hapur.
Sipas të dhënave të publikuara në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi është shpallur më 13 tetor 2026, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ka përfunduar më 28 tetor. Projekti përfshin rikualifikimin e dy akseve rrugore përmes ndërhyrjeve në sistemin e kullimit të ujërave të shiut, përmirësimit të trotuareve, ndriçimit dhe asfaltimit.
Rruga Onhezmi është një nga arteriet kryesore të Sarandës, me qarkullim të konsiderueshëm automjetesh dhe këmbësorësh, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Ndërhyrjet e parashikuara në këtë aks, si edhe në rrugën Vangjel Pandi, synojnë përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe të infrastrukturës urbane.
Megjithëse afati i ofertave ka përfunduar, mbetet për t’u konfirmuar përmbyllja e procedurave të prokurimit, shpallja e fituesit dhe data konkrete e nisjes së punimeve.
Gjithashtu, pritet të bëhen të qarta afatet e realizimit të projektit dhe mënyra se si do të organizohet qarkullimi i automjeteve gjatë ndërhyrjeve, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre rrugëve për lëvizjen në qytet. Saranda Web