Një ngjarje e pazakontë ka shkaktuar kaos në Kinë, ku një burrë ka hyrë me forcë me një ekskavator në një kompleks zyrash qeveritare në provincën Shaanxi, duke shkatërruar hyrjet dhe fasadat e disa ndërtesave.

Incidenti ndodhi në Qendrën e Zyrave Qeveritare të Distriktit Fengdong, në Zonën e Re Urbane Xishuangbanna, pranë qytetit të Xi’an.

Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë ekskavatorin duke lëvizur nëpër kompleks dhe duke goditur dyert prej xhami, hyrjet dhe fasadat e ndërtesave, ndërsa punonjësit dhe qytetarët ndiqnin të tmerruar skenat nga distanca.

 

Për afro një orë shkatërroi ndërtesat. Gjatë kësaj kohe, të paktën gjashtë pjesë të kompleksit pësuan dëmtime të konsiderueshme. Në hyrje të një prej ndërtesave u shkatërruan shkallët, tabelat identifikuese dhe dyert prej xhami, ndërsa dëme u konstatuan edhe në pjesën e pasme të objektit dhe në fasadat e ndërtesave të tjera.

Për shkak të situatës së rrezikshme, autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të punonjësve dhe qytetarëve që ndodheshin në kompleks.

“Ishim shumë të frikësuar. Askush nuk guxoi ta ndalonte”, rrëfeu një punonjës për mediat kineze.

Pas gati një ore shkatërrimesh, drejtuesi i ekskavatorit ndaloi mjetin, duke i dhënë mundësi policisë të ndërhynte.

Rreth 20 efektivë të forcave speciale morën pjesë në operacion, duke bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e tij.

Sipas raportimeve të Al Jazeera-s, një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një mosmarrëveshje për kompensimin financiar që dyshohet se u detyrohej banorëve të fshatrave përreth.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: