Kryeministri Edi Rama është pritur në Pallatin Elize nga presidenti francez Emmanuel Macron, në prag të zhvillimit të Forumit të Paqes në Paris.
Pas takimit, kreu i qeverisë shqiptare publikoi disa fotografi në rrjetet sociale, ku shfaqet krah Macron, duke bërë të ditur se biseda u përqendrua te çështjet me interes të përbashkët.
“Palais de l’Élysée – Me Presidentin Emmanuel Macron, për të gjitha temat me interes të përbashkët, në vigjilje të Forumit të Paqes nesër”, shkroi Rama.
Kryeministri ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Aktiviteti ndërkombëtar këtë vit vë në fokus rolin e qeverisjes efektive në garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kohë kur bota përballet me ndryshime gjeopolitike, zhvillime teknologjike dhe sfida klimatike.
Në kuadër të forumit, Rama do të marrë pjesë edhe në një sesion të posaçëm të formatit “Spotlight”, ku do të diskutojë për perspektivën europiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian për brezat e rinj.


