Vendosni fjalën kyçe....

Honda do ndërtojë fabrikën 3 mld USD në SHBA


Prodhuesi japonez i automjeteve Honda Motor njoftoi të hënën se do të ndërtojë një fabrikë të re me vlerë 3 miliardë dollarë në pjesën qendrore të shtetit të Ohios, në SHBA, ku do të prodhohen automjete hibride. Investimi pritet të krijojë 2 mijë vende të reja pune.

Kompania bëri të ditur se fabrika do të ketë kapacitetin për të prodhuar 240 mijë automjete në vit dhe se prodhimi pritet të nisë në vitin 2029.

Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit të Honda-s në SHBA në 1.3 milionë automjete në vit, ndërsa kapaciteti në të gjithë Amerikën e Veriut do të arrijë në 1.9 milionë automjete.

Honda planifikon gjithashtu investime të tjera të reja në Kanada, si dhe në shtetet amerikane Ohio, Georgia dhe Alabama.

Në muajin maj, kompania njoftoi planet për të prezantuar 15 modele të reja hibride Honda dhe Acura në mbarë botën deri në vitin 2030.

Gjithashtu, Honda bëri të ditur se do të heqë dorë nga objektivat e mëparshëm për shitjen e automjeteve elektrike dhe se kishte pezulluar pa një afat të përcaktuar projektin prej 11 miliardë dollarësh për prodhimin e automjeteve elektrike në Kanada. Ky vendim u mor në kuadër të një zhvlerësimi financiar prej 9 miliardë dollarësh të lidhur me investimet në sektorin e automjeteve elektrike.

Kompania deklaroi se do të investojë në Alabama për ndërtimin e një motori të ri hibrid V6, ndërsa në fabrikën e motorëve në Ohio do të kryhen përshtatje për prodhimin e një motori të ri me katër cilindra.

Honda do të modernizojë gjithashtu fabrikat e transmisioneve në Ohio dhe Georgia, ndërsa planifikon të rifillojë prodhimin e motorëve në provincën kanadeze të Ontarios.

Një numër prodhuesish të huaj automjetesh kanë njoftuar investime të mëdha të reja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa përballen me tarifat doganore të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump.

Muajin e kaluar, Audi, marka luksoze e grupit gjerman Volkswagen, njoftoi se do të ndërtojë një fabrikë montimi me vlerë 4 miliardë dollarë pranë qytetit Macon, në shtetin e Georgia-s.

Fabrika pritet të nisë funksionimin në fillim të viteve 2030, të prodhojë 200 mijë automjete SUV në vit dhe të punësojë rreth 4 500 persona.

Reuters raportoi muajin e kaluar se administrata Trump i kishte premtuar Audi-t lehtësim nga tarifat doganore, në përpjekje për të siguruar realizimin e investimit.

Zyrtarët amerikanë u kishin thënë drejtuesve të Audi-t se qeveria planifikonte të ofronte lehtësime të gjera nga tarifat për prodhuesit e automjeteve që kryejnë investime të konsiderueshme në prodhimin brenda SHBA-së.

Në korrik, edhe prodhuesi japonez Toyota Motor njoftoi se do të investonte 3.6 miliardë dollarë për ndërtimin e një linje montimi kamionçinash me sipërfaqe 2.5 milionë këmbë katrore (rreth 232 mijë metra katrorë), në kompleksin e tij industrial në San Antonio, Teksas.

Kompania planifikon gjithashtu të zhvendosë një pjesë të prodhimit të kamionçinave nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara.

Prodhuesi japonez bëri të ditur se zgjerimi do të përfundojë deri në vitin 2030 dhe do të krijojë rreth 2 mijë vende të reja pune.

https://www.reuters.com/business/autos-transportation/honda-build-new-3-billion-auto-plant-ohio-adding-2000-jobs-2026-11-09/