Nga mbledhësi i borxheve të këqija te “zoti i bankave” dhe oligarku i betonit në bregdet. Prapa fasadës së pastër të emrave amerikanë dhe parajsave fiskale të Ishujve Kajman, fshihet një perandori financiare që ka ngërthyer ekonominë e shqiptarëve për fyt.
Historia e ngjitjes së Andi Balltës në majat e sistemit financiar nuk është histori suksesi, por një dëshmi rrëqethëse se si mund të pasurohesh duke lulëzuar mbi mjerimin e qytetarëve. E nisur si një kompani ordinere për mbledhjen e kredive të këqija, në një kohë kur skandalet e mikrokredive kanë zhytur në borxhe mijëra familje shqiptare, kompania Tranzit SHPK sot ka shtrirë tentakulat kudo: nga bankat e nivelit të dytë si ABI Bank, te institucionet e mikrokredisë, kompanitë e investimeve dhe deri te projektet kolosale të ndërtimit.
Kjo nuk është thjesht ekonomi tregu; është një strukturë e ngritur me mjeshtëri ku i njëjti rrjet kontrollon në mënyrë monstruoze: edhe bankën që jep kredinë, edhe kompaninë që ndjek borxhin, edhe kolateralin që sekuestrohet, dhe në fund, betonizimin e pronave!
Dokumentet zyrtare tregojnë një realitet skandaloz: vetëm në vitin 2024, ndërkohë që aktiviteti operativ i Tranzit ishte modest, kompania ka deklaruar mbi 2.6 miliardë lekë të ardhura nga dividendët. Ku shkojnë këto para? Përtej bilanceve të pastra, ekspertët ngrinin prej kohësh alarmin se fitimet kolosale burojnë nga skemat e brendshme të grupit, ndërsa fondet fshihen pas strukturave offshore në Delaware të SHBA-së dhe në parajsën fiskale të Ishujve Kajman përmes kompanive si Moscopole, New Century Holdings apo NCH Balkan Fund.
A iu nënshtrua vallë kjo strukturë një auditimi të vërtetë nga institucionet? Apo “oktapodi” ka qenë gjithmonë i strehuar nën sqetullën e njerëzve me pushtet absolut, duke i bërë institucionet rregullatore të mbyllin sytë?
Pasi morën shpirtin qytetarëve përmes kredive dhe kamatvonesave, tentakulat e grupit të Balltës janë derdhur tashmë te betoni dhe pasuritë bregdetare.
Nëpërmjet kompanisë Bay View Alternative Investment, e themeluar në korrik 2025 ku ABI Bank zotëron 99% të aksioneve dhe pjesa tjetër kontrollohet nga vetë Andi Ballta, ky grup ka marrë në dorë 32 hektarë tokë në zonën e Poros në Vlorë, një pronë e vendosur dikur si kolateral pranë ABI Bank.
Kjo ngre pyetje drithëruese që SPAK dhe Banka e Shqipërisë duhet t'i japin përgjigje urgjentisht:
A po përdoren bankat dhe kolateralet e qytetarëve për të shpëlarë para dhe për të financuar perandori private ndërtimi?
A jemi përballë një konflikti të hapur interesi ku banka kreditore bëhet pronare e pronave strategjike përmes rrugëve klienteliste?
Kur i njëjti grusht njerëzish kontrollon bankën, mikrokredinë, borxhin, sekuestron kolateralin dhe ngre resorte buzë detit, pyetja nuk është më ekonomike, por një kërcënim i hapur ndaj sigurisë kombëtare financiare.
Është koha që SPAK, Autoriteti i Konkurrenciës dhe tatimet të dalin nga gjumi i rehatshëm dhe të zhveshin këtë maskë amerikane e offshore. Shqiptarët meritojnë të dinë se kush u pi gjakun me fajde e mikrokredi, dhe ku përfundojnë miliardat që zhduken në errësirën e parajsave fiskale!