Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka rikthyer në vëmendje edhe të kaluarën e tij në Greqi, ku sipas mediave vendase ai ishte akuzuar për përfshirje në një grup kriminal të dyshuar për 28 grabitje bankash.
Media greke “Protothema” raporton se Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, dyshohej se kishte lidhje me një organizatë kriminale që vepronte në vendin fqinj.
Në Shqipëri, 50-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit policor “Gjuetari i Bankave”, pasi dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, të kryera më 2 qershor dhe 2 nëntor të këtij viti. Nga të dyja ngjarjet dyshohet se janë marrë rreth 75 mijë euro.
DVP Tiranë Pamje nga pune hetimore dhe operacionale e Policisë së Tiranës, për zbardhjen e dy vjedhjeve me armë në dy filiale bankare, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet aeroportit të Rinasit. https://t.co/HQc4VXMNwq
— Policia e Shtetit (@PoliciaeShtetit) November 9, 2026
Sipas raportimit të mediave greke, grabitja e fundit ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45. Autori, i maskuar dhe i veshur me të zeza, mbërriti në bankë me një skuter elektrik. Ai hyri në filial, mbylli derën për të penguar personat brenda të largoheshin dhe kërcënoi me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren.
Pasi mori rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, u largua me skuterin elektrik. Ndërsa grabitja e parë ishte kryer më 2 qershor, në një tjetër bankë të së njëjtës zonë, ku u morën rreth 15 mijë euro.
Sipas të njëjtit raportim, autoritetet shqiptare e kishin mbajtur Dukën nën vëzhgim për disa ditë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej sërish drejt Greqisë.
Artikulli përmend gjithashtu se bashkëshortja e tij punon në një tjetër institucion bankar në Shqipëri. Duka jetonte në Vlorë, por kishte marrë me qira edhe një banesë në Tiranë, që dyshohet se e përdorte si vendstrehim.
Ai u arrestua pranë Rrugës së Kosovarëve në kryeqytet. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8,200 euro, dy telefona celularë dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Sipas autoriteteve shqiptare, identifikimi i tij u bë përmes metodave speciale hetimore, sistemeve teknologjike dhe analizimit të veshjeve, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur fytyrën.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të dy grabitjeve në Tiranë dhe verifikimin e lidhjeve të mundshme të 50-vjeçarit me aktivitetin kriminal në Greqi.


