Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, la të kuptohet se territori i Ukrainës mund të pësojë ndryshime në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme me Rusinë, vetëm pak ditë përpara zhvillimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Kievit dhe Moskës në Abu Dhabi.
“Besoj se do ta arrijmë marrëveshjen dhe se kjo do të ndodhë. Në fund, Ukraina do të ketë një formë paksa të ndryshme”, deklaroi Trump në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të televizionit CBS, të publikuar të hënën.
Deklaratat e tij vijnë në prag të negociatave trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të planifikuara për datat 10–11 nëntor në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, megjithëse Kievi dhe Moska vijojnë të kenë qëndrime thellësisht të kundërta lidhur me çështjen e territoreve dhe garancitë e sigurisë që do të shoqëronin një armëpushim.
“Po zhvillohet një takim shumë i rëndësishëm”, tha Trump. “Besoj se kjo luftë do të përfundojë dhe se do të përfundojë së shpejti. Dhe e vetmja arsye që do të përfundojë është unë”.
Presidenti amerikan nuk dha hollësi të mëtejshme se çfarë nënkuptonte me ndryshimin e kufijve të Ukrainës dhe as nuk specifikoi se cilat ndryshime territoriale mund të përfshihen në një marrëveshje të mundshme.
Rubio flet për përparim në çështjen e garancive të sigurisë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të dielën se është shënuar përparim në diskutimet për garancitë e sigurisë që do t'i ofrohen Ukrainës pas përfundimit të luftës. Sipas tij, negociatat e kësaj jave mund të sjellin zhvillime të mëtejshme.
Përpara vizitës në Paris, ku do të zhvillojë bisedime me ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s, Rubio tha se një nga çështjet kryesore është përcaktimi i mekanizmave të sigurisë që do të nevojiten për mbrojtjen e Ukrainës dhe të kontinentit evropian në tërësi pas luftës.
“Si do të duket arkitektura e sigurisë së Ukrainës pas luftës dhe, në një kuptim më të gjerë, e gjithë kontinentit evropian?”, pyeti Rubio.
“Besoj se pikërisht për këtë po flet presidenti, pra për përparimin e shënuar në përcaktimin e asaj se si mund të duket kjo strukturë e sigurisë pas përfundimit të konfliktit”, shtoi ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se Bashkimi Evropian do të jetë gjithashtu i pranishëm në Abu Dhabi, së bashku me partnerët e tij.
Edhe Franca do të përfaqësohet në këto negociata, bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot.
Mosmarrëveshjet territoriale mbeten pengesa kryesore
Rusia dhe Ukraina vijojnë të jenë larg një marrëveshjeje të mundshme, veçanërisht për sa i përket së ardhmes së territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ruse.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga katër rajonet që Moska pretendoi se i aneksoi në vitin 2022, megjithëse nuk ka arritur të vendosë kontroll të plotë mbi to.
Kremlini ka këmbëngulur gjithashtu që Kievi të heqë dorë nga synimi për t'u anëtarësuar në NATO dhe të pranojë kufizime në madhësinë dhe kapacitetet e forcave të tij të armatosura.
Nga ana tjetër, Ukraina i ka kundërshtuar kategorikisht kërkesat për lëshime territoriale, përfshirë edhe në zonat që Rusia nuk ka arritur t'i pushtojë ushtarakisht. Kievi këmbëngul se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci të besueshme sigurie, me qëllim parandalimin e një agresioni të ri rus.
Autoritetet ukrainase kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm si hapin e parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë, duke theksuar se çështjet territoriale duhet të trajtohen përfundimisht përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe atij rus, Vladimir Putin.
I pyetur se cila ishte pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, Trump iu referua marrëdhënieve mes dy liderëve.
“Është urrejtja mes Zelenskyyt dhe Putinit”, u shpreh ai.
Kur u pyet nëse armiqësia e Zelenskyyt ndaj Putinit ishte e kuptueshme, duke pasur parasysh pushtimin rus të Ukrainës, Trump iu referua asaj që ai e cilësoi si mungesë respekti ndaj Moskës gjatë një takimi të mëparshëm mes dy presidentëve.
Ndërsa, kur u pyet nëse kishte më shumë besim te Putini apo te Zelenskyy, presidenti amerikan shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.
“Do të preferoja të mos përgjigjesha, por kam marrëdhënie të mira me të dy”, tha ai, duke shtuar se nuk besonte që Putini po i zvarriste qëllimisht negociatat.





Komente
Komento