Juristi Bledar Dervishi ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në proceset e rihapjes së çështjeve të magjistratëve të shkarkuar nga vettingu, duke e cilësuar atë antikushtetues. I ftuar në emisionin ‘Pasditja’ në SYRI TV, me moderatorin Edvin Parruca, Dervishi argumentoi se rregullimi i kësaj çështjeje i takon Kuvendit të Shqipërisë dhe jo Gjykatës Kushtetuese.
Sipas juristit, procedura për rihapjen e çështjeve pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është e përcaktuar në legjislacion, por nuk ekziston një mekanizëm ligjor që parashikon pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë në këtë proces.
Dervishi ngriti pikëpyetje mbi bazën ligjore që ka përdorur Gjykata Kushtetuese për të hartuar një aneks-rregullore, duke marrë si referencë dispozitat e procesit të rivlerësimit kalimtar, i cili ishte një proces i përkohshëm dhe tashmë ka përfunduar.
‘Dhe procedurën se si rihapen çështjet pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut apo një gjykate ndërkombëtare, e ka të rregulluar në ligjin e vet Gjykata Kushtetuese. Kur në një vendim të saj ose në një vendim të dhënë nga trupat gjyqësore të mëparshme konstatohen shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë, duke vendosur edhe një masë shpërblimi, po jepet edhe detyrimi për të rihapur procesin. Këtu Gjykata Kushtetuese e rihap. Por nuk ka të parashikuar këtë mekanizëm monitorues të mbikëqyrjes se si do të futet në proces.
Atëherë, çfarë analogjie do të marrim? Do të marrim analogjinë e normave të tjera, të normave kushtetuese që kanë qenë të parashikuara për procesin e rivlerësimit kalimtar nga dy trupa që nuk ekzistojnë më? Apo do të duhej që Kuvendi ose të shprehej për shfuqizimin e shtojcës që ka bërë në Kushtetutë, ose të rregullonte pozitën e tyre procedurale me këtë proces të rihapjes së çështjes ndaj këtyre magjistratëve, që vjen qoftë nga Strasburgu, qoftë nga ndonjë kërkesë për rishikim, kur kanë ndonjë provë të re që vlerësohet se vendimet e dhëna nga dy organet që nuk ekzistojnë më kanë qenë të padrejta.
Kjo mungesë e një shtrati ligjor të shëndoshë, solid, për të vepruar në mënyrën e duhur, na çudit të gjithëve. Ne juristët pak më të kualifikuar... Unë nuk kam dëgjuar deri tani ndonjë jurist që ta mbështesë këtë tezë të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për të bërë një rregullore, ose më saktësisht, një aneks-rregullore të rregullores së tyre bazë.
Por na sjell çudi dhe habi se si Gjykata Kushtetuese, nga kush e mori nismën ose kush ia paraqiti një kërkesë kësaj gjykate?
Gjykata Kushtetuese a pati ndonjë kërkesë nga ndonjë subjekt që njihet nga ligji shqiptar për të rregulluar këtë marrëdhënie që ngeli e parregulluar dhe që është detyrë e Kuvendit dhe jo e Gjykatës Kushtetuese? Nëse po, si e ka pasur, formale, informale? Si?
Sepse unë nuk arrij ta kuptoj pse Gjykata Kushtetuese investohet, ndërkohë që ai që duhet të ishte investuar, dhe këtu nuk ka qëndrim politik, por është vetëm ligjor, është Kuvendi i Shqipërisë. Prej tij kanë marrë burim të gjitha normat, përfshirë ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. Prej tij do të merrte fuqi përsëri një organizëm ndërkombëtar si ai që quhet Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, vëzhguesit e të cilit do të vepronin brenda Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë edhe atë që quhet dhomë këshillimi, dhomën ku janë vetëm gjyqtarët dhe nuk ka palë. Këtë nuk e parashikon ligji për Gjykatën Kushtetuese.
A e përcakton Gjykata Kushtetuese tani, me një rregullore të veçantë, mënyrën se si do të marrin pjesë ekspertët ndërkombëtarë? A do të diskutojnë këtu nëntë anëtarë dhe dy vëzhgues apo tre apo një, që rri aty dhe dëgjon se si diskutojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese?
Ndaj unë kam thënë në një status timin që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe në Kushtetutë nuk ka një parashikim të tillë që Gjykata Kushtetuese të fusë brenda saj ekspertë që shikojnë se çfarë bëhet në vendimmarrjen e saj. Ndaj e vlerësoj vetë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese si antikushtetues.
Në vlerësimin tim si jurist, shiko, ka qëllime të mira kur organet e parashikuara në Kushtetutë, por edhe ato që janë pjesë e trupave gjyqësore, por jo thjesht gjyqësore si kjo, si Gjykata Kushtetuese, tentojnë të rregullojnë një situatë drejt një qëllimi të mirë, për ta bërë sa më të kompletuar nga ana procedurale.
Por në këtë mënyrë mua më lind një pyetje tjetër. Them: për Gjykatën Kushtetuese, a ka rinovuar mandatin edhe Komisioneri Publik, apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, që të marrë pjesë në proces? Është një pyetje, për shembull, që më lind mua. Përderisa ia dha këtë të drejtë ekspertit ndërkombëtar të monitorimit, po drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, që luan rolin e Komisionerit Publik, pasi ai nuk ekziston më si organ, a do të jetë në këtë proces?
Pyetje tjetër. E kupton sa mini-pyetje dalin dhe derivohen kur shtrati ligjor dhe kushtetues mungon dhe kur kemi një trupë kaq elitare të gjyqësorit kushtetues që na merr vendime të tilla dhe nuk shpjegon si, qysh, tek, nga erdhi kjo gjë? A kaq e lartë është nevoja për ta rregulluar në këtë formë, kur ka një formë tjetër më solide?
Apo pyetja tjetër: Gjykata Kushtetuese a i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Shqipërisë? Çfarë qëndrimi ka Kuvendi mbi këtë çështje dhe si do t'i hapë rrugë zgjidhjes së tyre? Sepse nuk është vetëm një rast, por priten raste të tjera të vendimmarrjes së Strasburgut. Ose mund të ketë edhe kërkesa të tjera nga subjekte që nuk e kanë konsumuar Strasburgun, por kanë evidentuar prova, gjetje apo të dhëna që mund të kërkojnë rishikimin, hapjen e procesit për shkaqe nga më të ndryshmet.
Është e vërtetë, por edhe kur ndodh kjo gjë, a do ta marrim për analogji këtë? Nuk është ndonjë e metë e madhe. Nuk kanë ndonjë të metë të asaj natyre, për arsye se ne një sistem drejtësie kemi: shkallën e parë, Apelin, Gjykatën e Lartë, Kushtetuesen dhe Strasburgun.
Edhe në rastet e tjera, hiq vetingun, edhe në rastet e tjera, kur konstatohen shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë i drejtohen Strasburgut, i cili vendos gjobë, plus mundësinë për rihapjen e çështjes. Përsëri të njëjtat organe janë. Gjykata e Lartë nuk është se ndryshon. Mund të kenë ndryshuar anëtarët e saj për shkak se u kanë përfunduar mandatet. Por trupat gjyqësore këto mbeten, se këto janë.
Dhe këtu, në qoftë se më pyet mua dhe unë të them: ore, a na duhet ai eksperti ndërkombëtar i monitorimit? A kemi shumë frikë nga kjo ekspertizë? Jo, nuk është aspak punë frike. Por pjesëmarrja e tyre në një proces të asaj natyre, rishikues ose rihapje të procesit nga Gjykata Kushtetuese, nuk është e rregulluar në Kushtetutë.
Dhe në qoftë se ti, si Gjykatë Kushtetuese, vlerëson të marrësh si normë rregullatore një normë tjetër që ka qenë aty në procesin e rivlerësimit... Pse? A thotë ajo normë që në procesin e rivlerësimit duhet të jetë eksperti ndërkombëtar i monitorimit? Dhe ta marr edhe unë? Jo, nuk është ashtu. Ato përfunduan, ishin procese rivlerësimi kalimtare.
Tani situatën e kemi më të qetë. E kemi më të konsoliduar nga ana e gjithë strukturës vendimmarrëse dhe verifikuese deri te Gjykata Evropiane, dhe tani duhet të rishikosh ato çështje që vijnë nga Gjykata Evropiane.’, u shpreh juristi Bledar Dervishi në SYRI TV.
© SYRI.net