Projektligji i depozituar në Kuvend nga socialistët parashikon një sistem të ri tarifimi për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar. Automjetet që hyjnë në Shqipëri me targa të huaja do të duhet të pajisen me vinjetë, me vlefshmëri nga një ditë deri në një vit.
Për mjetet e regjistruara në Shqipëri, detyrimi parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Vetëm pak ditë pasi qeveria vendosi të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, nga 1 janari 2027, mazhoranca ka depozituar në Kuvend një tjetër nismë ligjore që ndryshon mënyrën e tarifimit për përdorimin e rrugëve kombëtare.
Bëhet fjalë për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, ‘Për transportet rrugore’”, të propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose.
Në thelb, nisma parashikon krijimin e një sistemi vinjete, përmes të cilit automjetet do të paguajnë për përdorimin e infrastrukturës rrugore për një periudhë të caktuar.
Një element i rëndësishëm i projektit është se detyrimi i drejtpërdrejtë për blerjen e vinjetës në pikat kufitare apo përmes kanaleve elektronike do të jetë për automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë. Ndërsa për automjetet me targa shqiptare, pagesa e vinjetës parashikohet të integrohet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Si do të funksionojë vinjeta për automjetet e huaja?
Sipas projektligjit, automjetet e regjistruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të duhet të pajisen me vinjetë në momentin e hyrjes në vend.
Shitja do të kryhet nga shoqëria aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR), në pikat e kalimit kufitar, si dhe nëpërmjet kanaleve elektronike.
Pagesa do të mund të kryhet edhe paraprakisht, përpara hyrjes në territorin shqiptar.
Për automjetet e lehta, projektligji parashikon disa periudha vlefshmërie:
* Një ditë.
* Dhjetë ditë.
* Tridhjetë ditë.
* Një vit, ose 365 ditë.
Kjo do të thotë se një turist apo shtetas i huaj që hyn në Shqipëri me automjetin e tij nuk do të jetë i detyruar të paguajë një tarifë vjetore, por mund të zgjedhë periudhën e përdorimit të rrjetit rrugor.
Tarifa do të ndryshojë në varësi të kategorisë së automjetit dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë.
Sa do të kushtojë vinjeta?
Projektligji përcakton kufijtë maksimalë të tarifave për automjetet e lehta, të llogaritura në raport me tarifën vjetore.
Konkretisht, tarifa nuk mund të kalojë:
* 9% të tarifës vjetore për vinjetën ditore.
* 11% për vinjetën 7-ditore.
* 12% për vinjetën 10-ditore.
* 19% për vinjetën 30-ditore.
* 30% për vinjetën 60-ditore.
Tarifa vjetore shërben si bazë për përllogaritjen e pagesave afatshkurtra. Vlera konkrete në lekë nuk është përcaktuar në projektligj. Ajo do të miratohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave, së bashku me kategoritë e mjeteve dhe metodologjinë e llogaritjes.
Për autobusët parashikohen gjithashtu periudha ditore, javore, mujore dhe vjetore. Tarifa ditore nuk mund të kalojë 2% të tarifës vjetore, ajo javore 5%, ndërsa tarifa mujore 10%.
Po automjetet me targa shqiptare?
Projektligji bën një dallim në mënyrën e pagesës për automjetet e regjistruara në Shqipëri. Për këto mjete, vinjeta vjetore përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pa krijuar një procedurë të veçantë pagese.
Në relacion, propozuesit argumentojnë se kjo mënyrë shmang krijimin e një detyrimi të dytë administrativ për drejtuesit e automjeteve shqiptare.
Ndërkohë, për automjetet me targa të huaja, vinjeta do të blihet drejtpërdrejt në momentin e hyrjes në Shqipëri ose paraprakisht në mënyrë elektronike.
Pra, edhe pse projektligji krijon kuadrin e përgjithshëm të vinjetës për përdorimin e rrjetit rrugor, mekanizmi i ri i blerjes në kufi dhe pagesës sipas kohëzgjatjes së qëndrimit lidhet me automjetet e regjistruara jashtë vendit.
Përjashtimet nga pagesa
Nisma parashikon që automjetet të mos paguajnë dy herë për të njëjtin segment rrugor. Për këtë arsye, nga rrjeti i vinjetës përjashtohen infrastruktura rrugore me koncesion, urat, tunelet dhe rrugët malore për të cilat është vendosur një tarifë e veçantë përdorimi.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave mund të miratojë përjashtime ose reduktime të tarifave për kategori të caktuara automjetesh.
Në këtë grup përfshihen:
* Automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen.
* Automjetet me emetime të ulëta.
* Motomjetet.
* Automjetet e regjistruara në shtetet kufitare.
Kategoritë përfituese dhe masa e reduktimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kontrolli përmes kamerave, gjoba për automjetet pa vinjetë
Një tjetër element i projektligjit është krijimi i një sistemi elektronik për kontrollin e pagesave.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin dhe administrimin e sistemit elektronik të vinjetave. Ndërsa EKORR do të merret me shpërndarjen, shitjen dhe mbledhjen e të ardhurave.
Kontrolli parashikohet të realizohet edhe përmes kamerave dhe sistemeve automatike të leximit të targave, të cilat do të verifikojnë nëse automjeti është pajisur me vinjetë të vlefshme.
Për përdorimin e rrjetit rrugor pa vinjetë parashikohet një gjobë në masën e tarifës mujore ose 30-ditore për kategorinë përkatëse të automjetit. Krahas gjobës, drejtuesi do të ketë detyrimin të pajiset menjëherë me vinjetën përkatëse.
Gjoba parashikohen edhe për EKORR, në rast të shkeljes së detyrimeve të përcaktuara në projektligj. Masat administrative për këtë shoqëri variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.
Mjetet e rënda të mallrave, vinjetë deri në vitin 2029
Projektligji parashikon një regjim të përkohshëm edhe për automjetet e rënda të transportit të mallrave. Deri më 31 dhjetor 2029, këto mjete do të pajisen me vinjetë për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar.
Tarifat do të diferencohen në bazë të numrit të akseve, peshës totale të lejuar me ngarkesë dhe klasës së emetimeve EURO ose emetimeve të CO₂.
Nga 1 janari 2030, ky sistem i përkohshëm parashikohet të pushojë së zbatuari. Në vend të tij, tarifimi i mjeteve të rënda do të rregullohet sipas dispozitave të përafruara me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke përfshirë tarifat sipas distancës së përshkuar, kostot e jashtme dhe mbingarkesën e trafikut.
Çfarë argumentohet në relacion?
Në relacionin shoqërues, propozuesit argumentojnë se ndryshimet janë të nevojshme pas rishikimit të politikës fiskale në sektorin e transportit.
Sipas relacionit, me heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimin e saj në skemën e taksimit vjetor të mjeteve, krijohet nevoja për një mekanizëm të veçantë që garanton pagesën për përdorimin e rrjetit rrugor edhe nga automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë.
Propozuesit theksojnë se aktualisht automjetet me targa shqiptare kontribuojnë përmes taksës së qarkullimit të përfshirë në karburant dhe taksës vjetore të mjeteve të përdorura, ndërsa automjetet e huaja që përdorin rrugët kombëtare nuk kontribuojnë në të njëjtën mënyrë përmes kësaj skeme.
Sipas tyre, vendosja e vinjetës synon të garantojë që edhe përdoruesit e huaj të kontribuojnë për përdorimin e infrastrukturës rrugore shqiptare.
Një tjetër argument është përafrimi me praktikat europiane, ku vinjeta përdoret si instrument për tarifimin e përdorimit të rrjetit rrugor.
Kur pritet të hyjë në fuqi?
Projektligji parashikon që hyrja në fuqi e ndryshimeve të bëhet 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa detyrimi për pagesën e vinjetës do të nisë në datën që do të përcaktojë Këshilli i Ministrave.
Po ashtu, aktet nënligjore për zbatimin e sistemit duhet të miratohen përpara fillimit të tij.
Kjo do të thotë se tarifat konkrete, mënyra e blerjes, kategoritë përfituese dhe procedurat e kontrollit do të kërkojnë vendime të mëtejshme të qeverisë.
Për momentin, bëhet fjalë për një projektligj të depozituar në Kuvend, i cili duhet të ndjekë procedurën parlamentare përpara se të kthehet në ligj. /TCH/









