Vetëm pak ditë pasi u vendos heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, duke filluar nga 1 janari 2027, mazhoranca ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon një sistem të ri tarifimi për përdorimin e rrugëve kombëtare.
Nisma, e propozuar nga deputeti socialist Andi Qose, parashikon vendosjen e një sistemi vinjete, përmes të cilit automjetet do të paguajnë për përdorimin e infrastrukturës rrugore për një periudhë të caktuar.
Sipas projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, ‘Për transportet rrugore’”, detyrimi për të blerë vinjetë do të zbatohet drejtpërdrejt për automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë.
Mjetet me targa të huaja do të mund ta blejnë vinjetën në pikat kufitare ose përmes kanaleve elektronike. Vlefshmëria e saj parashikohet të variojë nga një ditë deri në një vit, në varësi të periudhës së zgjedhur.
Ndërkohë, për automjetet e regjistruara në Shqipëri, pagesa për përdorimin e rrjetit rrugor nuk do të kryhet përmes një blerjeje të veçantë të vinjetës, por parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Projektligji synon kështu të ndryshojë mënyrën e tarifimit për përdorimin e infrastrukturës rrugore kombëtare, duke vendosur një skemë të re për automjetet vendase dhe ato të huaja.


