Një sufllaqe me vetëm 1 euro ka mjaftuar për të shkaktuar kaos në qytetin Dortmund të Gjermanisë, ku qindra persona u dyndën të dielën në një lokal të sapohapur për të përfituar nga oferta speciale.
Pronari kishte reklamuar më herët se, me rastin e hapjes, sufllaqe do të shitej për vetëm 1 euro, shumë më lirë se çmimi i zakonshëm në Gjermani, që varion nga 7.50 deri në 9 euro. Sipas pronarit, rreth 1.000 persona u mblodhën përpara lokalit, ndërsa policia e vlerësoi numrin e tyre në rreth 300.
Pavarësisht se kishte punësuar roje private për të mbajtur situatën nën kontroll, turma u bë e papërballueshme dhe pronari u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e policisë. Me mbërritjen e efektivëve, situata u përshkallëzua. Policët u sulmuan me shishe, gurë, fishekzjarrë, një skuter elektrik dhe madje edhe një karrige.
Për të vendosur rendin u angazhuan rreth 100 efektivë policie dhe një helikopter. Shefi i policisë së Dortmundit, Tim Frommeyer, dënoi dhunën, duke deklaruar se personat që sulmojnë policinë nuk mund të konsiderohen thjesht të rinj që kërkojnë aventura apo persona që shkaktojnë trazira.
“Kushdo që përdor dhunë, në këtë rast sërish kundër punonjësve të policisë, nuk është një i ri që kërkon aventura apo një ngatërrestar, por një kriminel”, tha ai.
Disa persona u arrestuan, ndërsa njërit prej tyre iu gjet një pistoletë që përdor fishekë manovër. Disa nga të përfshirët përballen me akuza për prishje të rendit publik, dëmtim të pronës dhe fyerje.
Sipas The Guardian, doneri është një nga ushqimet më të preferuara në Gjermani, ku shiten mbi 1.3 miliardë porcione në vit. Deri rreth vitit 2020, një doner kushtonte 3.50 deri në 4 euro, por rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve e ka çuar çmimin aktual deri në 9 euro.
Policia nuk ka bërë të ditur nëse do të ketë ndjekje penale ndaj pronarit të lokalit. Ky i fundit deklaroi se donerët e mbetur do t'ia dhurojë një organizate bamirësie që ndihmon personat e pastrehë në qytet./TheGuardian







Komente
Komento