Franca ka akuzuar Iranin se qëndron pas sulmeve kibernetike që prekën frigoriferët dhe ngrirësit e qindra supermarketeve, duke shkaktuar prishjen e produkteve të freskëta dhe të ngrira me vlerë miliona euro.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se sulmi ishte kryer nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), duke e cilësuar atë si të paprecedentë për nga përmasat dhe niveli i agresivitetit.
“Do të vendosim sanksione në nivel europian ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë sulm”, paralajmëroi Barrot.
Sulmi ndodhi më 11 tetor, kur hakerët arritën të merrnin kontrollin e programit që rregullon temperaturat e frigoriferëve në supermarketet franceze. Më shumë se 100 supermarkete të rrjetit Coopérative U dhe 180 dyqane të Intermarché dhe Netto u prekën nga sulmi. Në disa prej tyre, temperaturat e frigoriferëve raportohet se arritën deri në 50 gradë Celsius gjatë natës.
Mes rrjeteve të prekura ishin edhe Carrefour, Monoprix dhe E.Leclerc. Hakerët kishin vënë në shënjestër programin e kompanisë daneze Danfoss, i cili u mundëson supermarketeve të kontrollojnë nga distanca sistemet e ftohjes.
Një valë e dytë sulmesh u regjistrua në fillim të nëntorit, duke goditur mbi 100 dyqane në vende të tjera europiane, përfshirë Belgjikën, Luksemburgun, Suedinë, Irlandën, Holandën, Estoninë dhe Finlandën. Ende nuk dihet nëse dy valët e sulmeve kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, Prokuroria e Parisit njoftoi të hënën hapjen e një hetimi ndaj drejtuesit të një njësie sulmesh kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, si dhe dy zëvendësve të tij. Prokurorja Laure Beccuau e identifikoi njësinë si “Shahid Kaveh”, e lidhur me qendrën elektronike dhe kibernetike të Gardës Revolucionare.
Sipas BBC-së, dy grupe hakerësh të lidhur me Rusinë kishin marrë më herët përgjegjësinë për sulmet, por pretendimet e tyre nuk u konsideruan bindëse nga shumë ekspertë.









Komente
Komento