Pas nëntë vitesh me fanellën kuqezi, Ivan Balliu ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij me Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi 34-vjeçar ka njoftuar tërheqjen nga përfaqësuesja, duke zgjedhur rrjetet sociale për të përcjellë një mesazh të ndjerë, ku ka përmbledhur emocionet dhe kujtimet e një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij.
Në fjalët e tij, Balliu e cilëson përfaqësimin e Shqipërisë si një nga nderet më të mëdha të jetës sportive, ndërsa veçon pjesëmarrjen në EURO 2024 si një prej momenteve për të cilat ndihet më krenar.
Ai nuk ka harruar të falënderojë shokët e skuadrës, trajnerët, stafin dhe tifozët kuqezi, të cilët i kanë qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi.
“Nëntë vite më parë nisa një rrugëtim që do të kthehej në një nga kapitujt më domethënës të jetës sime. Sot, duke parë pas, kuptoj se sa shumë më ka dhënë kjo fanellë. Nëntë vite emocionesh, sakrificash, miqësish dhe kujtimesh të paharrueshme. Kombëtarja u bë familja ime e dytë dhe përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një nga nderet më të mëdha të karrierës sime.
Pjesëmarrja në EURO 2024 do të mbetet përgjithmonë një nga momentet për të cilat ndihem më krenar. Një falënderim i përzemërt për të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët dhe stafin që ndanë këtë rrugëtim me mua. Dhe për tifozët tanë të jashtëzakonshëm, faleminderit për dashurinë, pasionin dhe mbështetjen tuaj të pakushtëzuar. Ju e bëtë çdo moment edhe më të veçantë.
Largohem me zemrën plot mirënjohje dhe krenari, duke e ditur se një pjesë e imja do t’i përkasë gjithmonë kësaj familjeje. Nëntë vite në zemrën time. Një privilegj për gjithë jetën. Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit, Armand Duka! Përjetë Kuqezi!”, shkruan Ivan Balliu.
Pas 24 ndeshjesh me fanellën e Shqipërisë, mbrojtësi mbyll kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, duke lënë pas kujtime që do të mbeten pjesë e historisë së tij me Kombëtaren.