AKTUALITET

Protesta e studentëve/ “Koha e qytetarëve ka vlerë”, ministri Demo: Masa të shtuara të Policisë Rrugore për lehtësimin e trafikut në Tiranë

17:46 - 09.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më pak kohë në trafik, lëvizje më e lehtë drejt punës dhe shkollës dhe më shumë siguri në rrugë. Ky ishte mesazhi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë inspektimit në zonën e “21 Dhjetorit”, ku Policia Rrugore ka shtuar praninë dhe masat për menaxhimin e qarkullimit.

Në kushtet e vështirësive të shtuara nga dëmtimi i semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit, ministri kërkoi që angazhimi i strukturave të përqendrohet te nevojat e përditshme të qytetarëve: të lëvizin të sigurt dhe të mos humbasin kohë të panevojshme në trafik.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim.

0644341c 34b1 4b54 9c23 6e68cfd6a110

Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te “21-shi”, i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh ministri Demo.

Ai kërkoi vëmendje të veçantë ndaj parkimeve dyshe dhe shkeljeve që bllokojnë qarkullimin, duke theksuar se masat e shtuara duhet të vlerësohen për efektin konkret që kanë në lehtësimin e trafikut dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet. Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë”, theksoi Demo.

Në përfundim, ministri kërkoi vijimin e angazhimit të strukturave të Policisë Rrugore dhe një vlerësim të situatës në fillim të javës së ardhshme, për të përcaktuar nëse nevojiten masa të tjera për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.