Aktualitet Politikë

Nga denoncimet te kritikat për qeverinë, mbi 971 komunikime në platformën ‘Fol me Kryeministrin’!

Mbi 971 komunikime me qytetarët janë regjistruar deri tani në platformën “Fol me Kryeministrin”, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama në fillim të nëntorit, në një periudhë protestash dhe tensionesh sociale në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim, qytetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë po e përdorin platformën për të përcjellë denoncime, kritika, shqetësime, pyetje dhe propozime.

Denoncimet përbëjnë 17% të komunikimeve, po aq sa propozimet për politika. Infrastruktura dhe legalizimet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës zënë nga 12%, ndërsa 10% e ndërveprimeve janë kritika. Punësimi dhe strehimi përbëjnë nga 6% të komunikimeve, pensionet dhe ndihma sociale 4%, ndërsa çështjet që lidhen me diasporën zënë 3%.

Më pak komunikime janë regjistruar për arsimin dhe studentët, biznesin dhe taksat, si dhe shëndetësinë, me nga 2% secila kategori. Shërbimet publike zënë 1%, ndërsa çështjet e tjera 6%. Platforma “Fol me Kryeministrin”, e aksesueshme në adresën folmekm.al, është e hapur 24 orë në ditë dhe u mundëson qytetarëve të dërgojnë mesazhe nga telefoni ose kompjuteri.

Rama e prezantoi këtë nismë si një mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët,duke garantuar se një ekip i posaçëm do të ndjekë ndërveprimet në platformë.

“Kushdo të komunikojë, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijnë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun. Kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale. Një urë e hapur 24 orë”, tha Rama të premten e 6 nëntorit.

Hapja e saj erdhi në një kohë kur vendi po përballej me protesta disamujore të studentëve dhe tensione sociale. Kryeministri kishte propozuar më herët edhe zhvillimin e dialogut përmes “sofrës së gurtë” përpara Kryeministrisë, ndërsa platforma digjitale u prezantua si një tjetër mënyrë komunikimi me qytetarët dhe protestuesit.